Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, lidhur me çështjen e synimit të Kosovës si anëtare në Këshillin e Evropës, ka treguar se më 27 mars do të diskutohet në Paris, në komitetin për politikë dhe demokraci raporti i raportueses Dora Bakojaniq.
“Aty pritet që të votohet ky raport dhe pastaj të shkon te asambleja parlamentare për votim, votimi do të jetë në mes të prillit dhe për këtë votim do të duhen dy të tretat të deputetëve anëtarë që janë në asamblenë parlamentare,” ka thënë Tahiri në emisionin Five.
Sipas tij, “grupet politike kanë dhënë qëndrime shumica që do të mbështesin, prej vendeve mosnjohëse disa shtete së paku të abstenojnë ose të mos jenë prezente.”
Po ashtu, Tahiri tha se vendet e mëdha që nuk na kanë njohur si Ukraina, mund edhe të ndahen, disa të votojnë për e disa kundër, ku dy të tretat prej vendeve në besimin e tij janë të mundshme, por duhet edhe një angazhim i madh deri në fund.
“Për raportin janë dy kërkesa që janë diskutu, e para asociacioni dhe e dyta një vendim rreth shpronësive në komunën e veriut. Në qoftë se në komitetin që i ka 85 deputetë votojnë 27 prej tyre, automatikisht raporti shkon në asamblenë parlamentare dhe kur është në asamblenë parlamentare, atëherë duhet me u diskutu dhe del në votim, nëse votojnë dy të tretat, atëherë është hapi tretë që është hapi në Këshillin e Ministrave,” shtoi Tahiri.