Padyshim është fakt që shoqëria shqiptare ka ndryshuar shumë nga parametrat, paradigmat dhe modelet e kaluara të sistemit të vlerave morale, parimeve të ngurta të seksualitetit. Është një e vërtetë si reflektim i “revolucionit seksual” të vonuar dhe që duhet pranuar. Edhe shoqëria shqiptare pothuaj është në fazën kur ka “përmbysur” sjelljet tradicionale në lidhje me seksin, lidhjet dhe marrëdhëniet seksuale. Tani jemi në fazën më intensive të përballjes me “frytet” e mira, por edhe të hidhura, të ndryshimeve që ka pësuar dinamika e seksualitetit njerëzor. Në vlerësimin tërësor pa frikë mund të themi se kemi kaluar nga një “sistem i ngurtë” në një “sistem elastik” të relacioneve të sekualitetit njerëzor. Padyshim është e vërtetë që në shoqërinë tonë, tashmë liberale e postmoderne ka tendenca të vërteta të liberalizimit të seksualitetit. Dhe kjo është e natyrshme të ndodhte.
Por kjo tendencë nuk duhet të shkarkohet mbi trupin, mishin, shpirtin dhe seksualitetin e fëmijëve tanë. Padyshim, është sociologjikisht e vërtetuar, që shpeshherë për fat të keq, sa më e hapur bëhet shoqëria, aq më shumë shtohen edhe rreziqet për shëndetin, integritetin, dinjitetin dhe seksualitetin e fëmijëve. Kjo, bashkë me evolucionin e natyrshëm dhe përshpejtimin fiziologjik të pjekurisë seksuale të fëmijëve, bën që të rriten në të njëjtën kohë edhe “rreziqet e brendshme” që lidhen me trupin dhe tipologjinë e intimitetit të tyre, por edhe ato të jashtme të përbërë përgjithësisht nga faktorë me natyrë sociale. Kohët e fundit shoqëria familja, shqiptare dhe opinioni publik janë tronditur nga shumë ngjarje të rënda, që në esencën e tyre sociale pasqyrojnë tendencën e agravuar e shfaqjeve kriminale të pedofilisë, nëpërmjet ngacmimit dhe abuzimit seksual me fëmijët. Në fenomenologjinë e së cilës ndeshen forma të ndryshme të realizimit pervers. Përmes mashtrimit, presionit, martesës apo formave të tjera të rafinuara, në të cilat në të gjitha rastet fëmijët kanë qenë viktimë. Për fat të keq, ndryshe nga ajo që pritej si reflektim i kulturës qytetare të shoqërisë demokratike, në shoqërinë tonë janë shtuar rreziqet për seksualitetin e fëmijëve, të cilët në jo pak raste për arsye e shkaqe të natyrave të ndryshme, ndodhen përballë rrezikut të shndërrimit në viktimë ë “gjuetisë” nga maniakët seksualë pedofilë.
Pedofilia në të gjitha rastet pa asnjë mëdyshje e përjashtim është forma më e shëmtuar e abuzimit me fëmijët. Madje, kjo është forma më kriminale e mundshme. Duhet pranuar hapur. Rastet e evidentuara të pedofilisë, por edhe të incestualitetit duhen konsideruar jo vetëm krim, por mbi të gjitha një turp social që po dëmton imazhin human të shoqërisë sonë. Është një kompleks faktorësh individual e social që kanë krijuar rrethana, që kjo sjellje perverse dhe kriminale të “shkarkohet” mbi trupin, shpirtin dhe seksualitetin e pafajshëm të fëmijëve. Këto ngjarje flasin për shumë mangësi e të meta të strukturave të formimit, edukimit dhe autoritetit social, që duhen evidentuar, si kusht për të shmangur efektet negative. Realiteti, kaotizmi i sistemit të jetës seksuale në përgjithësi dhe asaj që lidhet me “sekualitetin minor”, kërkon në mënyrë imperative të zgjerohet puna sociale, morale, intelektuale, edukative dhe mediatike për të demotivuar këtë “industri” të pedofilisë dhe incestit, si një nga turpet sociale më të mëdha të kohës tonë.
Nëse “lirinë” e barazojmë me çlirimin e seksualitetit të fëmijëve, atëherë ky është treguesi se shoqëria jonë ka humbur toruan dhe davanë sociale. Kjo situatë është e tillë që nuk mund të shihet dhe vlerësohet en block, por duhet diagnostikuar më thellë, për të ndarë atë që është “moralisht e qortueshme” në raportet që mbajmë me trupin, shpirtin dhe seksulitetin e fëmijëve, nga ajo që është dhe shfaqet në format më banale të perversiteteve dhe kriminalitetit seksual, të cilat është e domosdoshme të penalizohen moralisht dhe ligjërisht. Një gjë është e sigurt. Duhet bërë gjithçka për t’i mbrojtur fëmijët nga pedofilia, sepse dëmet që ata pësojnë janë të shumta e të shumanshme.
Madje, është e vërtetuar që fëmijët e abuzuar seksualisht i kanë gjurmët e këtij lloji abuzimi të pashlyeshme për tërë jetën. Ky rrezik social i “shumëfishuar” kohët e fundit është për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët. Por në mënyrë të veçantë rreziku është akoma më i pranishëm dhe imediat për fëmijët që ndodhen të braktisur, pa kujdes prindëror dhe në “situatë rruge”, fëmijët tanë që janë të pashoqëruar në emigracion, fëmijët që punojnë dhe bëjnë “punë të këqija” (jashtë kondicionit moshor) etj..
Nuk është gjë e keqe, përkundrazi është krejt pozitive, që nga njëra anë në kohën e sotme edhe në shoqërinë shqiptare më në fund, “çështjet e seksit” nuk janë më sekret i frikshëm. Madje, kohët e fundit edhe fëmijët dhe problemet e jetës së tyre seksuale kanë dalë në evidencë si një nga problemet sociale dimensionale, komplekse dhe shqetësuese për fëmijët, familjen, shkollën dhe shoqërinë. Kjo, sepse përveç të tjerash, fëmijët e sotëm nuk janë ekuivalentë me fëmijët e djeshëm, sepse edhe koha nuk është e njëjtë. Ajo ka ndryshuar, bashkë me të ka ndryshuar edhe “materia” me të cilën përbëhen fëmijët e kohës postmoderne. Fëmijët jetojnë në këtë shoqëri, e cila ndryshe nga e kaluara totalitare, kufijtë e ngushtë të “shoqërisë së mbyllur”, jo vetëm është “hapur” por ajo ka marrë tipare evidente karakteristike e thelbësore për natyrën e “shoqërisë së qejfit”, “shoqërisë së dukjes dhe spektaklit”, të cilat kanë ndikuar në botëkuptimin, sjelljen e ndryshuar të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Jeta moderne dhe sfondi i përgjithshëm social i liberalizimit dhe individualizimit të sjelljes së tyre, janë bërë faktorë shpesh çoroditës që shpesh “shkarkohen” mbi ta. Mjafton të kujtojmë, që kohët e fundit është dobësuar përgjegjësia individuale për seksualitetin e tyre është ulur mosha e fillimit të aktivitetit seksual.
Mosha e fëmijërisë dhe e adoleshencës është periudha më delikate në jetën e njeriut. Kjo sikurse thonë sociologët dhe psikologët, është “moshë plastike” dhe e “kënaqësive të dyshimta”. Problemi është që si shoqëri duhet të angazhohemi, bashkë me strukturat e familjes, shkollës dhe institucionet e shtetit duhet të bëjmë gjithçka, që fëmijët të ndihen të sigurt në seksualitetin e tyre.
Fëmijët së pari duhet t’i mbrojmë nga “vetja”, sepse proceset që ndodhin brenda tyre janë turbulente. Pjekuria seksuale moshore gjithnjë e më e parakohshme, sjell çoroditje konceptuale të formave të sjelljes së tyre me “veten”. Kjo është njëra anë që ka të bëjë me punën që duhet bërë me ta për të kuptuar “atë që ndodh”, duke formuar një kulturë seksualiteti të qëndrueshme. Por nga ana tjetër, ata duhet t’i mbrojmë nga faktorët që janë jashtë tyre. Këtu është ajo që ka rëndësi të veçantë, që t’i mësojmë fëmijët të dallojnë ngacmimet seksuale verbale, fizike, emocionale e kibernetike. Mbi të gjitha, është e nevojshme t’i mësojnë të kenë dyshime të arsyeshme për ata të rritur që tregohen të “përzemërt”, apo që krijojnë kontakte fizike “miqësore” me fëmijët. Kushdo qofshin të afërm apo të largët, përfshirë njerëzit me lidhje gjaku apo mësuesit, klerikët, trajnerët etj.. Kjo kërkon një punë të kujdesshme, këmbëngulëse, hap pas hapi, sipas moshës dhe diagramës së pjekurisë seksuale, për të formuar te fëmijët “vigjilencën seksuale” në nivelin e duhur si mjeti më i sigurt i mbrojtjes nga abuzantët. Kjo është kultura, është “diga e parë” e mbrojtjes së seksualitetit të fëmijëve në mënyrë të dyfishtë: së pari nga vetja dhe pastaj edhe nga të tjerët.
Në mënyrë evidente duket se koha duke sjellë në mënyrë të natyrshme normat moderne të liberalizimit të seksualitetit, kapërcimin, mposhtjen e formave të vjetra të “industrisë sociale” të seksit si instrument riprodhues e martesor. Por në të njëjtën kohë, kjo klimë sociale ka cenuar rëndë sistemin e jetës seksuale në shoqëri, duke e bërë atë të shfaqë forma të dashurisë dhe seksualiteteve të sëmura, sikurse janë shfaqjet banale të pedofilisë, incestit, poligamisë, poliandrisë etj..
Shoqëria ka kohë që po shfaq tendenca të seksualitetit eksentrik, shoqëruar me presionin e kapërcimit të çdo ndalese sociale apo kufiri human për realizimin e tij. Por, është e vërtetuar se nëse seksualitetit i heqim çdo kufi, atëherë është e sigurt që shoqërinë e pret një shthurje e plotë, viktimë e së cilës do të jenë së pari fëmijët. Ngjarjet e kohëve të fundit, por edhe rastet e evidentuara më parë të pedofilisë dhe incestit kanë vërtetuar se sjellja parafilike apo anormale është më e shfaqur dhe më e theksuar te meshkujt, të cilët shfaqin sjellje kriminale dhje uri të pazakonshme dhe të panatyrshme seksuale. Kjo patologji është shumë e rrezikshme, sepse shkencërisht është vërtetuar se edhe terapitë psikologjike për pedofilët japin pak rezultate. Në Perëndim për këtë kategori sociale të njerëzve seksualisht anormalë zbatohen metoda biologjike të tilla si terapia hormonale, deri te kastrimi përfundimtar. Një pjesë prej tyre që shfaqen si recidivistë cilësohen si “kriminelë seksualë të përjetshëm” dhe futen në “Librin e Turpërimit Publik” (Libri i Turpit).
Debati që kohët e fundit ka filluar të zhvillohet edhe në vendin tonë, nëse duhen apo jo demaskuar publikisht pedofilët, është fare pa kuptim. Pa mëdyshje jam për publikimin e emrave të kriminelëve seksualë. Sepse ata përveçse duhen ndëshkuar penalisht, duhet të bëhen persona edhe të demaskuar moralisht në jetën publike. Njerëz të tillë të deformuar dhe me prirje seksuale të kundërnatyrshme duhen frenuar dhe ndëshkuar. Madje, ata duhen veçuar nga shoqëria. Nëse janë kriminelë të pandreqshëm duhet të rrinë në burg, nëse janë maniakë e të sëmurë seksualë e pedofilë, të trajtohen në spitalet psikiatrikë.
Është vërtetuar se një pjesë e pedofilëve janë njerëz, të cilët gjithashtu në fëmininë e tyre kanë qenë të abuzuar seksualisht. Ndërsa përbërja e tyre sociale, arsimore etj. është e larmishme. Ata janë të të gjitha racave, moshave, besimeve fetare dhe profesioneve.
Është e vërtetë që kohët e fundit një pjesë e “limfës pedofilike” e lidhjeve seksuale perverse e kriminale, fillon nëpërmjet lidhjeve në rrjetet sociale, të cilat janë aq shumë të dashura dhe masivisht të përdoruara nga fëmijët dhe adoleshentët tanë. Faktet tregojnë se interneti bën të mundur fillimin e lidhjeve në formë platonike dhe eterike, të cilat pastaj në jetën e përditshme kthehen në forma të abuzivizmit dhe kriminalitetit seksual. Interneti, rrjeti dhe media sociale po ndikojnë negativisht te fëmijët, duke i “bombarduar” me iluzione seksuale. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse fëmijët nuk janë në gjendje, nuk kanë formimin e duhur kulturor dhe seksual që të bëjnë dallimin e duhur midis realitetit dhe fantazive të sëmura. Shpesh ata gabimisht, (po jo gjithnjë për faj të tyre) i quajnë të zakonshme ndodhitë që shikojnë, perversionet që shfaqen në rrjetet sociale.
Është e vërtetë që ka një përdorim të bujshëm të shfaqjeve të trupit dhe shfaqjeve nudo në disa raste “seksting” nga adoleshentët, foto të cilat merren nga pedofilët dhe përdoren si mjet presioni për të ngritur gracka elektronike, që i përdorin si mjet shantazhi e instrument presioni për të realizuar qëllimet si “gjahtar” të seksit minoren. Në këtë kontekst është urgjente t’i mësojmë dhe edukojmë fëmijët, që në mënyrë absolute nuk duhet t’u japin personave rastësorë apo të panjohur të dhëna për identitetin e tyre, numrin e celularit, adresën, emrin e shkollës etj.. Koha po tregon se është bërë tejet imperative lufta kundër abuzimit “pa kontakt fizik”, apo që realizohet përmes lidhjeve virtuale në rrjetet sociale përmes “Tik-Tok”-ut, në format e larmishme të shfaqjeve ekzibicionale të intimitetit apo fotografimeve për qëllime abuzimi dhe shantazhi sistematik mbi fëmijët dhe adoleshentët.
Duhet t’u mësojmë fëmijëve së pari kulturën që të flasin hapur dhe pa frikë për ngacmimet seksuale. Njëkohësisht t’u mësojmë “teknologjinë” teknikalitetet dhe marifetet perverse të pedofilëve, dallimet midis ngacmimit fizik dhe atij jofizik, që shpesh realizohet përmes telefonatave, ‘email’-ve, me fjalë, vështrime me epsh seksual etj.. Kjo do të thotë se na duhet një kulturë e re dhe shumë intensive për t’i bërë fëmijët të aftë të vetëmbrohen nga rreziku. Por ka edhe një gjë që nuk është gjithnjë në dorën e fëmijëve, që shpesh bien preh e rrethanave në të cilat ata ndodhen. Kjo do të thotë që prindërit të nxjerrin mësimin e duhur e të mos i lënë fëmijët të ndodhen në rrethana të rrezikshme, pa mbrojtje nga abuzimi. Për këto gjëra duhet folur hapur me fëmijët. Seksi dhe seksualiteti për fëmijët e kohës sonë nuk ka më shanse të jetë botë e mbyllur apo sekret i frikshëm. Përkundrazi, të bëjmë gjithçka që ata të kenë vigjilencë seksuale, njohuri të zgjeruara për kulturën e rrezikut që u kanose nga pedofilët. Sepse abuzimi me fëmijët është treguesi më flagrant i deformimit të sistemit të jetës seksuale. Ky është një turp social që duhet sulmuar me të gjitha mjetet e mundshme kulturore, familjare, arsimore, mediatike, policore dhe juridike.
Pedofilia është ndoshta krimi më barbar i seksualitetit. Ndoshta krimi që ka pasojat psikologjike e shëndetësore më afatgjata. Të tmerrshme, më saktë të llahtarshme dhe të prekshme në efektet që sjellin në dëmtimin thelbësor të dinjitetit dhe personalitetit aktual, por edhe perspektiv të fëmijës. Absolutisht në të gjitha rastet fëmijët e abuzuar seksualisht janë tejet të traumatizuar. Sepse në shumë raste përdhunuesit përdorin më fëmijët format më të mundshme poshtëruese, të cilët këta maniakë i shikojnë edhe nëpër videot qarkulluese. Dhe kjo situatë nuk kërkon ndonjë “vigjilencë” të madhe prindërore apo pedagogjike për t’u njohur, kuptuar apo diagnostikuar. Ka shenja të sigurta me natyrë fizike apo psiko-emocionale që tregojnë saktë situatën e fëmijës së abuzuar.
Fëmija i ngacmuar apo akoma më keq, i abuzuar seksualisht është në një gjendje të zgjeruar depresive dhe me çrregullime evidente të sistemit të sjelljes. Ata kanë makthe, shenja të sigurta të stresit postraumatik, shoqëruar me kriza paniku, çrregullim të sistemit të ushqyerjes, anomali somatike e psikosomatike, vuajtje nga ankthet dhe pagjumësia kronike. Si rregull një fëmijë në këtë situatë ka dëshirë të jetojë i izoluar, i vetmuar, i mbyllur në vetvete, pa kontakte dhe komunikime të gjëra sociale. Adoleshentët në këtë situatë shpeshherë fillojnë të bien nën ndikimin e substancave dhe lëndëve psikotrope, duke përdoruar në mënyrë krejtësisht të gabuar si antidepresantë, alkool, drogëra të natyrave të ndryshme. Aq të thella janë pasojat psikologjike të këtij lloj abuzimi, saqë ka raste kur fëmijët dhe adoleshentët për të dalë nga kjo situatë e ndërlikuar, kanë tentuar t’i bëjnë dëme vetes. Ndonjëherë edhe duke u vetëvrarë.