I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që përcakton euron si valutën për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata në Bruksel gjatë një bashkëbisedimi të hapur me gazetarë.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i ketë parasysh shqetësimet e komunitetit serb dhe mekanizmit ndërkombëtar për trajtimin e minoriteteve brenda Kosovës”.
Ai ka rikujtuar se Francës i është dashur gati një vit për të adoptuar euron, përderisa, “në veri të Kosovës kanë dashur të zbatojnë vendimin brenda 3 javëve”.
Escobar e ka përsëritur që Shtetet e Bashkuara nuk e kundërshtojnë legjitimitetin e vendimit, mirëpo kanë probleme me mënyrën e zbatimit dhe për efektin që ka te komuniteti serb.
Qysh prej 10 marsit e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.
Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.
Ai ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë, do të ketë në fokus një “zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin si dhe për transferet prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.
Serbia deklaron se ndan miliona euro për serbët në Kosovë dhe ua paguan atyre rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.