Lajme
Meloni dhe Von der Leyen në Egjipt. Një pakt me Al Sisin për të ndaluar emigrantët
Demokracia
15:57 | 09 Mars 2024

Share:

Një pakt për emigrantët, një memorandum sipas modelit të atij të nënshkruar tashmë në Tunizi dhe mbi të cilin po punojnë në Romë dhe Bruksel.

Kryeministrja italiane , Giorgia Meloni dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen kthehen në Afrikën e Veriut, këtë herë në Kajro, në qytetin që ndërkohë është kthyer në udhëkryqin e negociatave për armëpushimin e ndërlikuar në Gaza.

Meloni ishte kreu i parë i qeverisë italiane që unpa me al-Sisi në tokën egjiptiane pas vrasjes së studiuesit italian Giulio Regeni. Ajo e bëri këtë tetorin e kaluar, duke thyer një tabu diplomatike që kishte zgjatur për gati tetë vjet.

Një takim dypalësh në margjinat e samitit të paqes arabe, i cili në realitet shërbeu për përgatitjen e takimit që do të zhvillohet të dielën më 17 mars.

Me Melonin dhe Von der Leyen do të jenë edhe kryeministri belg Alexander De Croo, si president i rradhës i BE-së dhe ai grek Kyriakos Mitsotakis, prezenca e këtij të fundit që jep një ide të shtrirjes së objektivave strategjike dhe gjeografike të zonës së Mesdheut.

Tre javë më parë pati një vizitë historike nga presidenti turk Recep Tayyp Erdogan në Kajro, i mirëpritur personalisht nga al-Sisi.

Një shkrirje pas dhjetë vitesh tensionesh dhe mosbesimi të thellë, vizitë kjo që ka alarmuar qeverinë greke.

Për Athinën, Egjipti ka qenë një aleat i rëndësishëm antiturk në vitet e fundit, një ombrellë për të mbrojtur interesat ekonomike dhe energjetike në zonën e gjerë lindore të Mesdheut dhe në ishujt e diskutueshëm me Ankaranë.

Në përgjithësi, udhëtimi i liderëve në Kajro shërben për zyrtarizimin e marrëveshjes për një partneritet strategjik midis Bashkimit Evropian dhe Egjiptit, gur themeli i të cilit do të jetë energjia. Gazi për pellgun e madh energjetik të Afrikës së Veriut, por edhe burimet e rinovueshme, siç shpjegohet nga Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Várhelyi.

«Për sa i përket energjisë elektrike të gjelbër, potenciali i Egjiptit është i vështirë për t’u përballuar», deklaroi Varhelyi.

Një pakt për të cilin Meloni është shumë e prirur, me synimin për të konsoliduar planin Mattei dhe rikthimin e “dimensionit të jashtëm” në qendër si një zgjidhje në menaxhimin e flukseve migratore.

Qasja është modeluar sipas udhëtimit që verën e kaluar solli tre liderë evropianë në Tunis – në atë rast holandezi Mark Rutte – me Kais Saied.

Megjithatë, asaj marrëveshje i mungonte entuziazmi i një lojtari themelor si Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin kundër shkrirjes së miliardave të ofruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të ringjallur ekonominë tuniziane derisa Saied të kishte zbatuar të gjitha reformat e kërkuara.

Uashingtoni i ka dhënë mbështetjen maksimale Egjiptit, i cili të mërkurën më 2 mars njoftoi se kishte rënë dakord me FMN-në për të zgjatur kredinë deri në 8 miliardë, për një total prej 20 miliardë dollarësh me shpresën se ministri i financave Mohamed Maait do të sjellë “borxhin publik. Egjiptian nën 90 për qind deri në vitin 2025”.

Egjipti është një gur shumë i rëndësishëm për Shtëpinë e Bardhë. Stabiliteti i tij është një domosdoshmëri në një zonë të copëtuar nga shkatërrimet e kryera nga Izraeli në Gaza dhe nga sulmet e përditshme të Houthis, milicët pro-shiitë të Jemenit, të cilët po rrezikojnë kalimin e anijeve tregtare përmes ngushticës së Suezit.

Për Italinë, gjendja e përgjithshme shëndetësore e një vendi të Afrikës Veriore që pret mbi 9 milionë emigrantë në territorin e saj është gjithashtu në rrezik.

Afër sezonit më të nxehtë dhe për rrjedhojë më të favorshëm për kalimet mesdhetare, kufijtë duhet të jenë të qëndrueshëm.

Nëse do të shkonte ndryshe, do të ishte një katastrofë elektorale për Giorgia Melonin, e cila tashmë është e detyruar të pranojë se dështoi, sapo erdhi në qeveri, në premtimin e saj për të ndaluar ardhjet.

Për këtë arsye, diplomacia italiane ka punuar fort në anën tjetër të Atlantikut për të lëvizur FMN-në, duke filluar nga ministri i Jashtëm Antonio Tajani, i cili përdori levat e miqësisë së lashtë në Bruksel me drejtoreshën e përgjithshme Kristalina Georgieva.

Në Farnesina dhe në Palazzo Chigi tashmë kanë llogaritur efektet që do të ketë marrëveshja me Al-Sisi në opinionin publik italian dhe në familjen Regeni.

Por në balancimin e kostove dhe përfitimeve, qeveria vendosi të vazhdojë gjithsesi, pavarësisht se gjyqi kundër katër agjentëve të inteligjencës egjiptiane të akuzuar për rrëmbim, torturim dhe vrasje të Giulio Regenit, nisi pak ditë më parë përpara Gjykatës së Assizes në Romë.

Megjithatë, katër 007-at do gjykohen në mungesë, pasi janë të mbajtur mirë e të strehuar në shtëpinë e tyre në Egjipt.

Të ngjashme