Lajme
“Ai e urren Shqipërinë si partnere të perëndimit”: Përse Kurti nuk e uroi Ramën për bazën e NATO-s në Kuçovë?
Demokracia
15:47 | 05 Mars 2024

Share:

Shqipëria dje ka marrë përgëzime të ndryshme për inaugurimin e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, por një të tillë nuk e ka pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ky i fundit, nuk e ka thënë asnjë fjalë për hapjen e kësaj baze, e cila po konsiderohet si bazë me rëndësi strategjike për gjithë rajonin.

Shefi i ekzekutivit dje ka shkruar disa statuse në profilin e tij në “Facebook”, por nuk e ka thënë asnjë fjalë për këtë ngjarje historike që ka treguar se Shqipëria është një forcë serioze në rajon.

Ndryshe nga Kurti, opozita i është gëzuar lajmit për inaugurimin e kësaj baze dhe e ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama.

Në inaugurimin e bazës së re taktike dhe operacionale të NATO-s, e para e këtij lloji në rajon, ka marrë pjesë vetëm ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Mungesa e këtij urimi dhe mungesa fizike e Kurtit në Samitin e Tiranës, ku morën pjesë vendet e rajonit dhe BE-ja, po shihet me sy kritik.

Njohësit e rrethanave politike në të dy vendet kanë vlerësuar se Kurti është duke e “xhelozuar” kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për raportet e afërta me perëndimin.

Analisti shqiptar Mero Baze ka thënë se Kurti e urren Shqipërinë si partnere të perëndimit.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, Baze ka vlerësuar se ky është një problem i madh i kryeministrit kosovar.

Jo nuk mendoj se dëmtohen interesat e Shqipërisë, pasi ato nuk janë të lidhura me fatin e Albin Kurtit. Dhe interesat e Kosovës nuk dëmtohen aq shumë nëse ai i kundërvihet Shqipërisë. Interesat e Kosovës dëmtohen kur ai I kundërvihet politikës perëndimore. Dhe ai e urren Shqipërinë vetëm si partnere të perëndimit. Ky është problem i madh”, ka thënë Baze.

Sipas tij, refuzimi i Kurtit për të marrë pjesë në Samitin e Tiranës është refuzim i pranisë së Perëndimit në Shqipëri.

Edi Rama nuk kishte thirrur kryetarët e komunave shqiptare në rajon apo kryeministrat shqiptarë të rajonit që ta dëmtonte mungesa e Albin Kurtit. Kishte thirrur gjithë lidershipin e Evropës dhe i erdhën. Mungesa e Albin Kurtit është refuzim i pranisë së Perëndimit në Shqipëri”, është shprehur Baze.

Opozita e uron Shqipërinë

Ndryshe nga kryeministri Albin Kurti, opozita e ka uruar Shqipërinë.

Dy ish-kryeministra të Republikës së Kosovës kanë thënë se inaugurimi i kësaj baze është e rëndësishme për terë rajonin.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se sa më afër Kosovës

Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, që është hapur sot, është bazë e sigurisë rajonale të Ballkanit. Sa më afër NATO-s, jemi më të lirë e më të sigurt, por anëtarësimi i plotë i Kosovës në këtë Aleancë, sigurinë do ta bënte më të plotë. E përgëzoj Shqipërinë për rreshtimin e saj të natyrshëm në këtë Aleancë, por nuk mund të mos shpreh indinjatën time të thellë për qeverinë e Albin Kurtit, e cila po e turpëron Kosovën duke dalur nga kontrata politike me udhëheqësit e NATO-s”, ka shkruar Haradinja në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka vlerësuar se kjo është një e arritur e madhe për rajonin.

Urime Qeverisë së Shqipërisë🇦🇱 dhe Kryeministrit Edi Rama për hapjen e bazës së NATO-s në Kuçovë. Kjo është arritje e madhe pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO në vitin 2009. Me këtë bazë, rajoni i Ballkanit është më i sigurt. Gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, janë më të sigurt. Shqipëria🇦🇱 po kontribuon në sigurinë rajonale dhe më gjerë. Me padurim presim ditën kur flamuri i Kosovës🇽🇰 do të valojë në selinë e NATO-s krahas vendeve të tjera anëtare”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebook”.

Shqipëria ka marrë urime për këtë bazë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Në inaugurimin e kësaj baze , që ka kushtuar mbi 50 milionë euro, kanë marrë pjesë përfaqësues të NATO-s dhe të vendeve anëtare të kësaj organizate.

Avionët e parë që janë ulur në këtë bazë kane qenë ata italian “Eurofighter”, të cilin ishin nisur nga baza e Aviano-s në Itali.

Më pas, aty janë ulur edhe dy helikopterët amerikanë “Black Haëk”, të cilët ushtria shqiptare i ka blerë nga ShBA-ja.

Të ngjashme