Lajme
Hapja e bazës së Kuçovës, ambasada e SHBA-ve: Shqipëria, e palëkundur ndaj parimeve të NATO-s
Demokracia
19:05 | 04 Mars 2024

Share:

“Urime Shqipërisë për inaugurimin e bazës së parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor”.

Kështu shkruan Ambasada e SHBA-ve në Tiranë në një postim në Facebook, sa i takon  hapjes së bazës së re të NATO-s në Kuçovë, e cila do të shërbejë si bazë për Forcat Ajrore shqiptare dhe gjithashtu si një pikë taktike dhe operacionale për vetë Aleancën.

Ambasada ravijëzon se “ky gur kilometrik ilustron përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s për të mbrojtur paqen, lirinë dhe demokracinë duke iu kundërvënë kërcënimeve përmes parandalimit dhe mbrojtjes”.

“I Ngarkuari me Punë David Ëisner iu bashkua Presidentit Bajram Begaj, Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi dhe zyrtarëve të tjerë shqiptarë dhe të NATO-s gjatë ceremonisë së hapjes sot në Kuçovë”.

Ëisner përgëzoi angazhimin e Shqipërisë për modernizimin e ushtrisë së saj dhe përmbushjen e angazhimeve thelbësore të mbrojtjes të NATO-s si mburojë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

“Si aleatë në NATO, ne qëndrojmë të bashkuar dhe të fortë”.

Si nga pozita, ashtu edhe nga opozita, vlerësimet për këtë bazë kanë qenë të larta.

Kështu, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në inaugurim, shpreson që lajmit të mirë për hapjen e bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë, t’i pasojë edhe një lajm tjetër i mirë, i cili do të jetë ai i hapjes së bazës detare të NATO-s në Porto Romano.

Këtë ka kërkuar kreu i Qeverisë shqiptare gjatë fjalës së tij në inaugurimin e bazës së Kuçovës, duke falënderuar të gjithë edhe për durimin përpara hapjes së pikës strategjike të NATO-s në Kuçovë.

Falënderime të shumta nga ana e kryeministrit kanë shkuar për gjithë faktorët që ndihmuan në hapjen e kësaj baze, që nga vetë Aleanca, e deri te banorët e zonës, për të cilët mund të gjenerohet më shumë punë tashmë.

Për Ramën, kjo bazë shkon përtej kufijve tokësore në të cilët ajo gjendet.

Hapjen e bazës e ka vlerësuar edhe kreu politik i opozitës, Sali Berisha, i cili ka lënë mënjanjë betejën e tij me drejtësinë dhe SHBA-të, për të uruar hapjen e bazës.

Berisha shkroi përmes një publikimi në median sociale Facebook se forca e tij politike, mbetet sot e në të ardhmen pa rezerva bashkëpunimin me Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe mbetet e vendosur në respektimin e të gjitha detyrimeve politike dhe ushtarake të Shqipërisë ndaj saj.

Në tone të njëjta e ka vlerësuar edhe Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, pjesë e opozitës, i cili ka përshëndetur ngjarjen gjatë një konference për shtyp.

“Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e kësaj baze është një vlerësim që NATO ka për Shqipërinë dhe kontributin e saj në sigurinë e rajonit”, përmendi Meta.

Ai shtoi se Partia e Lirisë është e përkushtuar që NATO të forcohet më tej si në aspektin politik, ashtu edhe atë ushtarak dhe garanton se do të mbështesë fuqimisht edhe në të ardhmen bashkëpunimin strategjik me Aleancën.

Po ashtu, shprehu edhe gatishmërinë për të ndihmuar që Shqipëria të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj NATO-s, por edhe për të marrë përgjegjësi të reja.

“Zgjerimi i NATO-s në Ballkan është një kontribut përcaktues për sigurinë, paqen dhe vlerat e demokracisë”, përmblodhi ai.

Rreth hapjes së bazës ajrore, ka reaguar edhe deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila shkroi në median sociale Facebook se inaugurimi i bazës së NATO në Kuçovë është një dëshmi e rëndësisë strategjike të Shqipërisë dhe rolit tonë në këtë aleancë.

“Një hap i rëndësishëm për forcimin e aleancës sonë në një kohë të vështirë që po kalon bota me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe situatën në Lindjen e Mesme. Një simbol i besimit që partnerët strategjikë si SHBA kanë ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë”, përmend Tabaku.

Ky sipas saj nuk duhet të jetë thjesht një hap krenarie dhe të mbyllet me kaq.

Detyra mbetet ajo për të përmbushur dhe për të forcuar edhe më shumë sigurinë kombëtare dhe atë kibernetike duke ndryshuar qasjen tonë ndaj forcave të armatosura.

“Besimi që NATO na ka dhënë duhet shpërblyer në investime reale dhe mirë funksionimin e forcave tona të armatosura duke rritur eficencën tonë në fushën e sigurisë ushtarake dhe jo vetëm”, shteron Tabaku.

Të ngjashme