Presidenti i një shteti anëtar kyç të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) u përball me Elon Musk të dielën për një pretendim që ai bëri për aleancën ushtarake në mes të luftës Rusi-Ukrainë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX i cili në vitin 2022 bleu X, dikur Twitter, ka ofruar komente të përziera për NATO-n dhe luftën Rusi-Ukrainë, pushtim të nisur nga presidenti rus Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.
Ndërsa ai i dha Ukrainës satelitët Starlink për të përmirësuar komunikimin gjatë fillimit të luftës, ai ka bërë thirrje gjithashtu për një marrëveshje paqeje që potencialisht do t’i lëshonte një pjesë të territorit ukrainas Rusisë dhe kundërshtoi ndihmën për Ukrainën.
Biznesmeni amerikan deklaroi gjithashtu se pozicioni i Ukrainës në luftën kundër Rusisë po dobësohet çdo ditë dhe ushtarët ukrainas po vdesin pa asnjë arsye.
Këto thirrje, siç edhe dihet, ishin në kundërshtim me shumë liderë botërorë që mbështesin kombin e Evropës Lindore kundër pushtimit të Putinit.
Dhe së fundmi, të shtunën, ai shkaktoi reagime në një postim X pasi shkroi se ai “gjithmonë pyeste veten pse NATO vazhdoi të ekzistonte edhe pse armiku i saj dhe arsyeja e ekzistencës, Pakti i Varshavës, ishte shpërbërë”.
Kritikët theksuan shpejt se Pakti i Varshavës, një koalicion i Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij, u themelua gjashtë vjet pas NATO-s si një përgjigje ndaj organizatës gjatë Luftës së Ftohtë.
Presidenti letonez Edgars Rinkēvičs ishte ndër ata kritikë që kritikuan komentin e tij.
“I dashur Elon Musk, arsyeja pse NATO u themelua, ekziston dhe do të zgjasë sepse është Rusia dhe armiqtë e tjerë të botës së lirë”, shkroi ai në X.
Ndryshe, NATO është një aleancë ushtarake midis Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe disa vendeve evropiane.
Neni 5 i Kartës së NATO-s thotë se “një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve”, që do të thotë se një sulm kundër një shteti të NATO-s mund të sjellë një përgjigje ushtarake nga të gjithë të tjerët.
Ajo u themelua në vitin 1949 për të ofruar siguri kolektive kundër Bashkimit Sovjetik mes tensioneve në rritje me fillimin e Luftës së Ftohtë.
Ndërkohë, Pakti i Varshavës u formua në vitin 1955 në përgjigje të NATO-s.