Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se edhe vendet e Ballkanit janë në kërcënim nga Rusia.
Zelensky para mediave në Shqipëri pas përfundimit të samitit Ukrainë – Evropë Juglindore, ka bërë thirrje që shtetet e Ballkanit të jenë bashkë në këtë situatë.
“Unë besoj se fakti që gjendemi sot këtu në një tryezë, të gjithë së bashku, ne kemi shembuj historik të marrëdhënieve të ndryshme dhe është shembull i rëndësishëm që jemi së bashku. Është mënyrë për t’u mbrojtur, rrugë drejt paqes. Rrugë që nuk çon askund. Nuk është këshillë, ajo që po ndodh tani është shembulli i duhur. Ndoshta nuk është e lehtë për ata që janë ulur në tryezë, mund të jetë e vështirë edhe për shoqëritë. Ne nuk u kushtojmë vëmendje provokimeve, provokimet vetëm përçajnë. Shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku.” – tha ai.
Zelensky është shprehur se Rusia do të bëjë gjithçka që ta destabilizojë situatën, e madje, sipas tij edhe vendet e Ballkanit janë në kërcënim.
“Rusia do të bëjë gjithçka që të destabilizojë situatën, nuk ia ka dalë në Ukrainë. Sot nuk duhet të bëjmë pauza, Rusia nuk do të ndalet. Për më tepër e kemi diskutuar,se Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të destabilizojë më tej nëse ka mundësinë e këtyre pauzave. Do të përpiqet të ketë ndikim në ato vendet ku mundet të përftojë suksese të menjëhershme, që janë vende të vogla. Vendet baltike janë kërcnim, vendet e Ballkanit kudo ku Bashkimi Sovjetik ka qenë i pranishëm.”– ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencë për medie pas përfundimit të Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore, ka thënë se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë krah Ukrainës për aq kohë sa është e nevojshme.
“Nuk jemi të privilegjuar të presim vetëm kreun e shtetit të Ukrainës, por të mirëpresim një udhëheqës të rezistencës i cili në fakt ajo çka nuk ka të bëj vetëm me qëndresën kundër agresionit brutal, por qëndron në të njëjtën kohë për demokracinë kundër ëndrrës neo-imerialiste. Sa i përket Shqipërisë, nuk janë vetëm institucionet, por është i gjithë kombi, i gjithë populli i vendit tonë që qëndron krah Ukrainës dhe e mbështetë Ukrainën në mënyrë të palëkundur. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa kjo do të jetë e nevojshme, dhe për aq kohë të ndodh një paqe që zgjatë. Shqipëria është anëtare krenare e NATO-s dhe së bashku me të gjithë aleatët, dhe bashkë me partenrët tanë nga Uashingtoni në Bruksel, kemi dënuar agresionin dhe kemi bërë gjithçka që kemi mundur dhe do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë për ta ndihmuar Ukrainën me të gjitha mjetet. Jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona dhe jemi mjaft të ndërgjegjshëm që ajo për të cilën ka nevojë Ukraina, është ndihma e të gjithëve. Por, para se të gjithash, ndihma e më të mëdhenjëve dhe më të pasurve në bashkësinë tonë.” – ka thënë Rama.
Më tej, ai ka folur edhe për ngecjet që po bëhen në ndihmën për Ukrainën, duke thënë se Ukrainë meriton të mbshtetet me të gjitha mjetet e nevojshme.
“E shohim me shqetësim që kjo mbështetje ngecet, sepse Ukraina kthehet në çështje të politikave të brendshme. Disa pretendojnë se ndalja e dhënies së armëve Ukrainës mund të sjell paqe, kjo vetëm që është cinike por edhe absurde. Ju nuk e ndalni luftën duke çarmatosur viktimën, e ndal luftën duke ndalur agresorin, dhe ja pse dua të përfitoj nga ky rast që t’u them të gjithë atyre që duan të dëgjojnë se Ukraina meriton të mbështetet e të ndihmohet me të gjitha mjetet e nevojshme.” – ka thënë Rama.
Ndërkohë, njëjtë edhe kryeministri Rama ka thënë se sulmi ndaj Ukrainës, nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën.
“Sulmi ndaj Ukrainës nuk ka të bëj vetëm me Ukrainën, është sulm kundër rregullit botëror, kundër bashkësisë së vendeve demokratike. Një sfidë, sfida më e hapur më e pamëshirshme ndaj vet ekzistencës së BE-së. Ajo që po ndodh sot është një tjetër mësim që na thotë se nuk duhet kurrsesi të biem pre e relevatizimit të këtij konflikti. Nuk jemi rajon pa probleme. Jetojmë në terren pjellor, ku është derdhur shumë gjak.” – tha ai.
Rama po ashtu është shprehur se ka një rrezik të qartë në Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus.
“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë të tillë që të bashkëpunojmëpër atë që është e jona. Ka një rrezik të qartë në Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus. Askush nuk duhet ta shoh si diçka që Rusia mund të vijë këtu, por ajo që po ndodh atje mund të përsëritet në mënyra të ndryshme, duke vënë në pikëpyetje rendin botëror.” – ka deklaruar kryeministri shqiptar.