Lajme
“Dialog për Dinarin” | Kurti e Bislimi në kundërshtim me Kushtetutën e çojnë BQK-në në Bruksel
Demokracia
13:45 | 26 Shkurt 2024

Share:

Në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese KO 43/19, me anë të të cilit ishte hedhur poshtë Ligji nr. 06/L-145 për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të mos përfaqësohet në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, ku do të diskutohet për përdorimin e “Dinarit” të Serbisë në Kosovë.

Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, do të jetë i vetëm në tryezën e takimit me përfaqësuesin e Serbisë dhe afër vetes nuk do ta ketë kryenegociatorin nga Qeveria e Kosovës, Besnik Bislimin apo kryeministrin Albin Kurti.

Më 21 shkurt, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka refuzuar publikisht kërkesën e BE-së për të dialoguar për çështjen e “Dinarit” të Serbisë, por ka konfirmuar që Kosova do të përfaqësohet me ndonjë institucion tjetër.

BQK E VETME NË DIALOG

Një ditë para takimit, Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë.

Nga Kosova konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, pa dhënë emra se kush do të jetë pjesë e delegacionit. Por, Radio Evropa e Lirë merr vesh se Kosova në takim do të përfaqësohet nga guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili. Ndërkaq, sipas medias serbe, Tanjug, në takimin e 27 shkurtit, Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviq.

BQK-ja tha se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare, pas hyrjes në fuqi të rregullores së saj më 1 shkurt, e cila parasheh që vetëm euro të jetë valuta për pagesa me para të gatshme.

“Në këtë kuptim, [BQK-ja] edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, u tha në përgjigjen e BQK-së dërguar REL-it.

AKTGJYKIMI QË NDALON DELEGIMIN E DIALOGUT

Një ditë më herët, Demokracia.com ka raportuar se pjesëmarrja eventuale dhe e vetme e BQK-së në tryezën e dialogut, pa kryenegociatorin e Qeverisë së Kosovës, ngre shumë pikëpyetje.

Me Aktgjykimin e saj KO 43/19, Gjykata Kushtetuese kishte hedhur poshtë dhe e kishte cilësuar si jokushtetues delegimin e procesit të dialogut te Delegacioni Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Republikën e Serbisë.

Gjykata Kushtetuese ishte pajtuar me deputetët e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi kishte vlerësuar se “Delegacioni shtetëror, i cili është themeluar me Ligjin e kontestuar, nuk është i paraparë me Kushtetutë dhe nuk është i paraparë brenda formës së qeverisjes dhe ndarjes së pushtetit. Si i tillë, delegacioni shtetëror nuk mund të përfshihet në ndërveprimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, gjegjësisht strukturën e ndarjes së pushtetit, sikurse është e përcaktuar me nenin 4 të Kushtetutës”.

Gjithashtu, sipas nenit 93 (3) të Kushtetutës së Kosovës, është kompetencë e Qeverisë që të propozojë dhe zbatojë politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit, kurse sipas nenit 94 (9) qartësohet se kryeministri për zbatimin e politikës së jashtme të vendit këshillohet me presidentin. /Demokracia.com/

Lexo tekstin e plotë:

“Do të shohim kush mund të bisedojë për Dinarin, por jo nga ekipi i kryenegociatorit” | Zëvendësi i Kurtit në kundërshtim me Kushtetutën e delegon dialogun tjetërkund (Dokumente)

Të ngjashme