Lajme
Nëna e Navalnyt po i reziston presionit për “funeral sekret” të të birit, thotë opozita
Demokracia
09:18 | 24 Shkurt 2024

Share:

Autoritetet ruse i kanë thënë nënës së opozitarit tashmë të ndjerë, Alexei Navalny, se biri i saj duhet të varroset në burgun ku ai ka vdekur, nëse ajo nuk do të pajtohej brenda tri orëve për një funeral sekret, ka thënë zëdhënësja e Navalnyt.

Kira Yarmysh të premten në rrjetin X shkroi: “Një hetues e telefonoi nënën e Navalnyt para një ore dhe i dha një ultimatum. Ose ajo të pajtohej për një funeral sekret pa lamtumirë publike brenda tri orëve, ose Alexei do të varroset në burg.”

Yarmish shtoi se zonja Navalnaya refuzoi që të bisedonte me hetuesit, sepse “ata nuk kanë autoritet për të vendosur se si dhe ku të varroset djali i saj”, raporton gazeta “The Guardian”.

“Ajo kërkon që ata ta respektojnë ligjin, që i detyron hetuesit për ta dorëzuar trupin brenda dy ditëve pas përcaktimit të shkaktarit të vdekjes” – shkroi zëdhënësja e Navalnyt.

Të enjten, nëna e opozitarit tha se asaj i ishte treguar trupi i të birit, por se autoritetet po i bënin “shantazh” për ta varrosur djalin përmes një ceremonie sekrete, pa pjesëmarrës në funeral.

Navalnaya tha se hetuesit e kishin kërcënuar se do ta linin kufomen e djalit të saj që të kalbej, nëse ajo nuk do të pajtohej për varrimin sekret të tij. Ajo tha se një hetues i kishte thënë: “Koha nuk është në anën tënde. Kufomat dekompozohen.”

Navalnaya u detyrua që të nënshkruante një deklaratë të vdekjes, në të cilën thuhet se biri i saj ka vdekur nga shkaqe natyrore.

Të ngjashme