Anëtari i Kryesisë së Nismës, Zafir Berisha, ka komentuar dëshminë e sotme të dëshmitarit të 46 të Prokurorisë së Gjykatës Speciale, i cili ka pranuar se është punëtor MUP-in serb.
Berisha ka bërë me dije se kjo tregon për përfshirjen e Serbisë në këtë gjykatë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka shkruar se në këtë mënyrë po vërtetohet se në Hagë është duke u zhvilluar beteja e radhës kundër Serbisë.
“Sot në Hagë punëtori i policisë serbe, MUP-it tê Serbisë, dëshmitar kundër krerëve të UÇK-së. Çdo ditë e më shumë po vërtetohet se në gjykatën e Hagës është duke u zhvillua beteja radhës kundër aparatit gjenocidal të Serbisë. Dëshmitari pranoj se në vitin 1992 të gjithë serbët e moshës madhore në Rahovec, duke përfshi edhe atë vetë janë armatosur, mirpo nuk tregoj se kundër kuj janë armatosur”, ka shkruar Berisha.
Dëshmitari i 46-të në këtë proces, është një serb i cili pretendon se që nga koha e luftës, nuk ka asnjë informacion për babain dhe vëllain.
Megjithatë, ky dëshmitar po del të jetë punëtor i MUP-it të Serbisë.
“Në vitin 2013 keni thënë se keni punuar në MUP-in serb”, pyeti avokati i Jakup Krasniqit.
“Kështu, po”, ia ktheu serbi.
“Punon ende aty”, pyeti avokati.
“Po”, ia ktheu dëshmitari.