Keqpërdorime e shkelje të shumta ligjore dyshohet se janë bërë përgjatë këtyre viteve për marrjen e patentë shoferit.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimishi derisa kishte njoftuar për shkeljet ligjore që kanë gjetur, ka njoftuar se në rajonin e Pejës dyshohet se janë bërë më së shumti keqpërdorime.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi për Telegrafin konfirmoi se hetimet janë duke vazhduar.
“Departamenti i Krimeve të Rënda është duke vazhduar me hetimet, për momentin nuk mund të jap më shumë detaje pasi pengohet procesi i hetimeve”, theksoi ai.
Durmishi para disa javësh kishte dorëzuar në Prokurorinë e Pejës raportin me qindra raste, ku përfshihen emra të personave të dyshimtë nga autoshkolla, ekzaminier e zyrtarë të ministrisë.
“Nga ajo që kemi gjetur deri më tani kemi gjetur që bëhet fjalë për një ndërmarrje të gjerë kriminale e cila mbetet të vërtetohet nga organet e drejtësisë. Dyshimet tona kanë filluar nga informatat e shumta që na dërgonin qytetarët. Pas analizimit të statistikave vjetore që jemi njoftuar nga departamenti na kanë njoftuar që ka dyshime për keqpërdorime të shumta”, kishte theksuar Durimishi.