Lajme
Një grua e armatosur vritet në një kishë të Teksasit, hetuesit thonë se në armë i shkruante “Palestinë”
Demokracia
08:40 | 13 Shkurt 2024

Share:

Një grua e shoqëruar nga një fëmijë hapi zjarr në një kishë të mbushur me njerëz në Teksas të ShBA-së para se të vritej nga sigurimi, thonë zyrtarët amerikanë.

E dyshuara, e identifikuar nga policia si Genesse Ivonne Moreno, 36 vjeçe, ishte me djalin e saj 7-vjeçar, i cili u plagos në mënyrë kritike gjatë të shtënave në Houston, raporton televizioni BBC.

Hetuesit thonë se në armën e gjatë të sulmueses ishte shkruar “Palestinë” dhe se ata kishin zbuluar shkrime anti-semite. Megjithatë, motivi i sulmit është i paqartë.

Një burrë 57-vjeçar u qëllua në ijë gjatë incidentin dhe tashmë është liruar nga spitali.

Djali i paidentifikuar i gruas së dyshuar u qëllua në kokë gjatë të shtënave dhe tash për tash është “duke luftuar për jetë”, tha policia. Nuk është e qartë se kush e ka qëlluar fëmijën.

Kisha ishte në mesin e një meshe me transmetim të drejtpërdrejtë, kur u dëgjuan të shtënat e para. Prifti Jorge Basave fillimisht e vazhdoi incizimin, duke thënë se dëshironte që të paraqiste qetësi.

“Isha i brengosur se frika ime do të ishte ngjitëse” – tha ai.

Policia tha se e dyshuara përdori një armë të tipit AR-15 gjatë sulmit. Ajo kishte edhe një pushkë tjetër, por nuk e shkrepi atë.

Zyrtarët thanë në një konferencë për gazetarë të hënën se sulmuesja kishte histori të problemeve të shëndetit mendor dhe për të ishte lëshuar urdhër për ndalim urgjent më 2016.

Sipas të dhënave publike, Morena gjithashtu kishte të kaluar të gjatë të arrestimeve dhe dënimeve nën akuza për sulmedrogë e armë.

Të ngjashme