Sot shënohet përvjetori i 17-të i demonstratës së 10 shkurtit 2007 të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ku u vranë dy aktivistë të saj, Mon Balaj e Arben Xheladini.
Protesta që u zhvillua kundër Planin të Ahtisaarit, derivat i së cilës është edhe formimi i shtetit të Kosovës, kulmoi me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, shkruan Demokracia.com.
Albin Kurti në demonstratën e vitit 2007 shprehej i bindur se shpallja e pavarësisë do të mbetej “veç ëndërr”. Në fakt, pas një viti, ai u demantua dhe Kosova e shpalli pavarësinë e saj.
Vetëvendosje e sotme ka ndryshuar shumë dhe ndonëse kujton përvjetore, ajo e ka fshirë edhe të kaluarën e saj nga arkivi. Megjithatë, edhe sot Vetëvendosje e përkujtoi këtë protestë, duke e injoruar faktin që lideri i saj edhe para dy ditësh kërkonte në KS të OKB që ta nënshkruante marrëveshjen me Vuçiqin, ku pjesë kryesore e saj është krijimi “Zajednicës”.
Partia e Kurtit ka njoftuar se sot në orën 13:30 do të bëhen homazhe te varri i Arben Xheladinit në Prishtinë, ndërsa në ora 14:45 te varri i Mon Balajt në Podujevë.
Dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, derisa ishin duke protestuar kundër ekipit negociator dhe Pakos së Ahtisaarit 17 vite më parë, u vranë më 10 shkurt nga policia rumune e UNMIK-ut.
Policia rumune e UNMIK-ut ishte ajo që reagoi në mënyrë të dhunshme, duke përdorur edhe armë vdekjeprurëse.
Në këtë protestë kishte edhe shumë të plagosur dhe, po ashtu, ishte përdorur edhe gazi lotsjellës. /Demokracia.com/