Në një propozim të dorëzuar nga ndërmjetësit në Katar – dhe që është parë nga Al Jazeera – Hamasi ka përshkruar planet për një armëpushim me Izraelin në Gaza, duke nxitur shpresat për përfundimin e luftës pas 124 ditësh bombardimesh dhe pushtimi tokësor në Rripin e Gazës.
Propozimi vjen në kohën kur të paktën 27,585 njerëz janë vrarë dhe 66,978 janë plagosur në sulmet izraelite në Gaza që nga 7 tetori.
Mijëra të tjerë kanë humbur nën rrënoja dhe supozohen të vdekur.
Ndërkohë shqetësimet po shtohen për një pushtim ushtarak tokësor të Rafahut, qyteti i fundit në brez, ku strehohen 1.4 milion njerëz të zhvendosur.
Plani i paqes i Hamasit, të cilin grupi e quan “të arsyeshëm dhe realist” është paraqitur në përgjigje të propozimeve të dërguara javën e kaluar nga ndërmjetësuesit e Katarit dhe Egjiptit, të cilët kanë zhvilluar negociata me Izraelin dhe SHBA-në në një shtytje të nivelit të lartë diplomatik për t’i dhënë fund luftës, përcjell Telegrafi.
Në planin e tij, Hamasi ka sugjeruar një proces armëpushimi me tri faza që do të lirojë pengjet dhe të burgosurit nga të dyja palët. Çdo fazë do të zgjaste 45 ditë, sipas planit.
Izraeli ende nuk i është përgjigjur propozimit të Hamasit, megjithëse “detajet e tij janë duke u vlerësuar tërësisht”, thanë zyrtarët.
Megjithatë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarët e lartë izraelitë kanë deklaruar vazhdimisht se trupat izraelite nuk do të urdhërohen të tërhiqen derisa Hamasi të “shkatërrohet”.
Ja çfarë propozon Hamasi:
Faza e parë:
Në 45 ditët e para, Hamasi propozon të lirojë të gjithë robërit femra izraelite që grupi i mori peng më 7 tetor.
Të burgosurit meshkuj nën moshën 19 vjeç dhe që nuk janë anëtarë ose rekrutues në forcat e armatosura izraelite, të moshuarit dhe të sëmurët do të lirohen gjithashtu.
Është e paqartë se sa prej më shumë se 100 robërve që dihet se janë ende gjallë përfshihen në këto kategori.
Në këmbim, Hamasi dëshiron që Izraeli të lirojë 1500 palestinezë që mbahen në burgjet izraelite, duke përfshirë të gjitha gratë, fëmijët dhe të moshuarit.
Rreth 5,200 palestinezë ishin pas hekurave në Izrael deri në tetor të 2023, mes tyre 33 fëmijë dhe 170 gra.
Në mesin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, 500 duhet të jenë njerëz që aktualisht vuajnë dënimin e përjetshëm dhe afate të tjera të zgjatura.
Hamasi po kërkon gjithashtu që të paktën 500 kamionë me ndihma humanitare dhe kamionë karburanti të lejohen në Gaza çdo ditë.
Ai ka kërkuar sigurimin e 60,000 shtëpive të përkohshme dhe 200,000 tendave dhe ka përcaktuar që palestinezët e zhvendosur në Gaza duhet të lejohen të kthehen lirisht në shtëpitë e tyre, pa pengesa, në kontekstin e një armëpushimi të përkohshëm të ndërsjellë.