Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nëpërmjet së cilës synohet të ndalohet qarkullimi i dinarit serb në Kosovë, nuk u bë me qëllim për ta provokuar Qeverinë e Serbisë, por me synimin për të larguar nga qarkullimi dhe riqarkullimi valutat e dёmtuara ose tё falsifikuara, thanë burime të prestigjozes britanike “The Guardian” pranë Qeverisë së Kosovës.
“Burime pranë Qeverisë së Kosovës thanë se kalimi në euro ishte nxitur nga shqetësimet rreth parave të falsifikuara dhe flukseve të paligjshme të parave të gatshme, jo nga dëshira për të provokuar qeverinë serbe”, thuhet në artikullin e gazetës së njohur britanike kushtuar zhvillimeve të reja në rebusin Kosovë-Serbi pas hyrjes në fuqi të vendimit për dinarit.
Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.
Megjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë kursin, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk u lëkund nga pozicioni për ndalimin e qarkullimit dhe përdorimit të dinarit serb nën argumentin e shtrirjes së “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” në çdo cep të territorit, përfshirë veriun e trazuar të Kosovës.
“Përjashtimi i dinarit nuk është masa e parë që ndezi zemërimin e Beogradit. Në kuadër të përpjekjeve për të vendosur kontrollin në të gjithë territorin, autoritetet shqiptare kanë hequr gjithashtu flamujt dhe tabelat serbe nga ndërtesat publike dhe kanë ndaluar automjetet që qarkullojnë me targa serbe”, raporton ndër të tjera “The Guardian” për çështjen e dinarit.