Kryeministri Albin Kurti të martën priti në takim përfaqësuesit e disa partive shqiptare nga Maqedonia e Veriut, të cilët e bojkotuan zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të parë shqiptar atje.
Pjesë e takimit ishin Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASh) dhe i Komunës së Gostivarit, si dhe udhëheqësit e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN), Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes BESA dhe i Komunës së Tetovës, Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe deputet, si dhe Afrim Gashi, Kryetar i Alternativës, po ashtu deputet. Këta janë disa nga deputetët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut që nuk e votuan Talat Xhaferin për Kryeministër të Parë Shqiptar në këtë shtet, shkruan Demokracia.com.
Gjatë këtij takimi ata shprehën propozimin e tyre për një President të Maqedonisë së Veriut, i cili mishëron bashkëjetesën mes etnive dhe garanton rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, president i cili kësaj radhe duhet të vijë nga mesi i shqiptarëve.
Siç njoftohet, aty u diskutua për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti i njoftoi kryetarët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut për takimet e bisedat që ka pasur me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut dhe ata e njoftuan për zhvillimet politike atje.
“Temë e diskutimit ishte edhe situata shoqërore e ekonomike e komunitetit shqiptar në Maqedoni, nevoja për demokraci e stabilitet si dhe përmirësim e mbarëvajtje të raporteve mes komuniteteve etnike në atë vend, gjë të për të cilën Kosova vetë është shembull, por edhe e promovon dhe e mbështet”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: