Lajme
Izraeli e pëson humbjen më të rëndë deri më tani: për një ditë i vriten 21 ushtarë në Gaza
Demokracia
08:27 | 23 Janar 2024

Share:

Njëzet e një ushtarë izraelitë u vranë gjatë luftimeve në jug të Gazës të hënën, njoftoi ushtria. Kjo është humbja më e madhe për trupat izraelite që nga fillimi i luftës me Hamasin.

Në një deklaratë të publikuar në televizion të martën, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari, tha se dy ndërtesa u shembën mbi ushtarë, pasi u goditën nga granata të hedhura përmes raketave (RPG) gjatë një operacioni ushtarak, raporton televizioni CNN.

Hagari shtoi se një ushtar tjetër mbeti i lënduar seriozisht në të njëjtin operacion.

Të rënët e rinj e çojnë në 208 numrin e përgjithshëm të ushtarëve izraelitë të vrarë që nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza.

Nga njëri shpërthim u vranë dhjetë ushtarëMatan Lazar, Hadar Kapeluk, Sergey Gntmaher, Elkana Yehuda Sfez, Yuval Lopez, Yoav Levi, Nicholas Berger, Cedrick Garin, Rafael Elias Mosheyoff dhe Marak Haim Ben Valid.

Ushtria është ende duke e hetuar shkaktarin e shpërthimit, por mendohet se ai është shkaktuar nga një granatë e hedhur me raketë drejt ndërtesës ku kishte mina të vendosura.

Përpjekjet e shpëtimit vazhduan për disa orë pas incidentit.

Hagari tha se trupat ishin duke operuar në një zonë rreth 600 metra larg kufirit, duke shkatërruar struktura dhe zona të Hamasit, si pjesë e përpjekjeve të ushtrisë për të formuar një zonë neutrale që komuniteteve kufitare të Izraelit t’u mundësohet kthimi në shtëpi.

“Aq sa dimë ne, rreth orës 16, një RPG u hodh nga terroristët në një tank që po i siguronte forcat dhe, në mënyrë të njëhershme, një shpërthim ndodhi në ndërtesat dykatëshe. Ndërtesat u shembën për shkak të shpërthimit, përderisa shumica e forcave ishin brenda dhe afër tyre”- shtoi zëdhënësi izraelit.

Të ngjashme