Lajme
Dy minatorë të tjerë në ”Trepçë” pranojnë trajtim mjekësor, shkak zona ku ishte liruar acidi
Demokracia
19:19 | 21 Janar 2024

Share:

Dy minatorë të tjerë të gjigantit metalurgjik ”Trepça”, janë ballafaquar me probleme shëndetësore si pasojë e rënies në kontakt me zonën ku kishte shpërthyer acidi ditë më parë.

Ky rast, fillimisht u mbajt i heshtur, megjithatë burime të Klan Kosovës, në ”Trepçë”, konfirmuan në kushte anonimiteti, se të njëjtit i janë nënshtruar trajtimit mjekësor me infuzione, për shkak siç theksohej ”të marramendjeve”.

Të njëjtit pas trajtimit mësohet të jenë liruar dhe nuk raportohet për gjendje të rënduar shëndetësore.

Kujtojmë që këtë çështje fillimisht e ngriti shqetësim, Arsim Musa, një ish-punëtor i ndërmarrjes ”Trepça”, i cili kërkoi më shumë përgjegjësi në këtë pikë.

E gjithë kjo pas dy minatorëve të tjerë të cilët siç thotë ai pësuan lëndime të premten, ngjashëm siç pësuan rreth pesë ditë më parë edhe 13 të tjerë, transmeton klankosova.tv.

“Asnjë minator nuk duhet të hyjë në minierë pa dalë raporti i KPMM dhe Inspektorati i Punës se si ka ardhur deri të lëndimi i minatorëve. Para dy dite janë lënduar edhe dy minatorë të tjerë, askush nuk është marrë më këtë çështje”, ka shkruar Musa në rrjetin social facebook.

Megjithatë Klan Kosova ka provuar të marrë një prononcim zyrtar nga menaxhuesit e kësaj ndërmarrjeje lidhur me këtë rast, por asnjëri nuk pranoi të deklarohej publikisht.

Ndërsa nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës mohuan të kishin pranuar minatorë të tjerë për trajtim mjekësor të këtij lloji.

Të ngjashme