Diant Ramaj e ka refuzuar Kosovën dhe Shqipërinë. Së paku momentalisht.
Numri një i Ajaxit të Amsterdamit e ka luksin që të zgjedhë ndërmjet tri shteteve për t’i përfaqësuar në skenën ndërkombëtare.
I lindur në Shtutgart të Gjermanisë, me prindër nga Kosova, Ramaj ka të drejtë të luajë edhe për Shqipërinë e Gjermaninë.
Në një intervistë për mediumin holandez Her Parool, Ramaj ka zbuluar se i kanë ardhur dy ftesa nga Kosova dhe Shqipëria. Megjithatë, ka thënë se të dyja i ka refuzuar. Arsyeja: Ai ende shpreson të luajë për Gjermaninë.
“Unë duhet të bëj një zgjedhje, por nuk dua ta bëj atë shumë shpejt”, thotë portieri, i cili tashmë ka luajtur për ekipet e të rinjve të Gjermanisë. “Kosova dhe Shqipëria tashmë më janë afruar. Unë u thashë që kam nevojë për kohë, gjithashtu sepse shpresoj dhe pres Gjermaninë”.
Ramaj e di se gjermanët kanë portierë të nivelit të lartë me Manuel Neuer, Marc-André ter Stegen dhe Kevin Trapp.
“Por portierët e Gjermanisë janë mbi tridhjetë vjeç. Kur shikoj vendet e tjera, ekziston një portier i ri kudo. Shikoni Bart Verbruggen në Holandë. Nuk po them se duhet të shkoj si portier i parë atje [te Gjermania, v.j], por është mirë që edhe Gjermania të thërrasë një të ri dhe t’i tregojë botës se një brez i ri po vjen”.
Në këtë rast Ramaj mendon se ka shanse të mira të jetë pjesë e Die Manschaft.
“Në këtë moshë unë jam portier i parë te një klub i madh. Mirë, Ajaxi nuk është në formën më të mirë në këtë moment, por ata po punojnë përsëri për t’u rikthyer te kohët e vjetra të suksesit. Pak portierë të rinj kanë mundësinë të luajnë për një klub kaq të madh dhe të fitojnë përvojë. Ndoshta pres më kot. Nga ana tjetër, nuk dëshirojë ta zbulojë më vonë se mund të isha portier i Gjermanisë. Zemra ime rreh për të dyja palët: Shqipërinë dhe Kosovën i shoh si atdheun tim, por jam lindur dhe rritur në Gjermani. Kjo nuk është absolutisht e lehtë”, thotë ai.
Në pjesën tjetër të intervistës, ai flet për transferimin nga Eintracht Frankfurt te Ajaxi dhe luftën e tij për të siguruar një vend në 11-shën e gjigantit holandez.
Ai thotë se sekreti i suksesit të tij, deri më tash, është disiplina e gjermanëve dhe guximi i kosovarëve.
“Sfondi im, mendoj [më ka bërë me këtë mentalitet]. Gjermanët kanë shumë disiplinë. Kosovarët nuk tremben lehtë. Dhe si portier nuk duhet të kesh frikë. Frika është e keqe për një futbollist, e lëre për një portier, me 60 mijë njerëz rreth teje, por askush pas teje në portë. Gjithmonë duhet të jesh gati për veprim”, ka thënë Ramaj.
Për Diant Ramaj, prindërit e tij dhe prejardhja e tyre nga Kosova kanë luajtur rol të madh në formimin e tij.
“Prindërit e mi gjithmonë kanë thënë: jini të respektueshëm dhe të sjellshëm”, thotë ai. “Ata përjetuan një pjesë të luftës në Kosovë. Gjithmonë ka pasur trazira. Për këtë arsye dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë për fëmijët e tyre, ata emigruan në Gjermani. Unë ende shkoj në Kosovë çdo vit. Është atdheu im. Kjo është dhe mbetet e veçantë. Ndihem i lidhur me Gjakovën dhe Kosovën.”
Ramaj thotë se lufta e Kosovës ishte motiv që ai dhe vëllai i tij të jepnin gjithçka “për t’i falënderuar dhe bërë krenarë prindërit”.