Specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe një nga njohësit më të mirë ndërkombëtar të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, në një opinion të publikuar këtë të mërkure, ka thënë se përpjekjet e qëllimshme të Beogradit për të vendosur kontrollin de facto të popullatës serbe në vendet fqinje vazhdojnë.
Ndërsa, siç vlerëson Serwer, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk flet për “‘shtëpi serbe’, ai po e bën atë”, derisa shton se i njëjti “nuk ka gjasa të mbështesë shkëputjen e Republika Srpska” nga Bosnje e Hercegovina, kjo pas kërcënimeve të vazhdueshme për shkëputje nga presidenti ultra-nacionalist i RS-së, Millorad Dodik – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Por ai po mbështet haptazi përpjekjet e Dodik-ut në Bosnje e Hercegovinë për të nxjerrë entitetin serb nga autoriteti i qeverisë dhe sistemit ligjor të Sarajevës”, ka theksuar profesori amerikan, derisa ndikimin e Beogradit e ka parë edhe në një vend tjetër ballkanik.
“Me ndihmën e madhe të Kishës Ortodokse Serbe, Beogradi ka arritur gjithashtu të vendosë një qeveri pro-serbe e pro-ruse në Mal të Zi”, shtoi.
Sa i përket Kosovës, ai beson se Beogradi “e ka kaluar veten”, dhe për ta argumentuar këtë, profesori amerikan përmendi disa raste kur Serbia ka shtyrë serbët e Kosovës të ndërrmarin veprime radikale.
“Largoi serbët nga policia, gjykatat dhe administrata e Prishtinës në katër komunat veriore me shumicë serbe. Sponsorizoi bojkotin e zgjedhjeve komunale. Turmat e marra me qira për të protestuar kundër zgjedhjes së kryetarëve joserbë dhe për të sulmuar paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO”, renditi ai disa nga veprimet e Serbisë.
Serwer përmendi edhe kidnapimin e tre policëve kosovarë në territorin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit të kaluar, por edhe trajnimin dhe mobilizimin e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjë të Zveçanit.
“Mohohet [nga Serbia] vlefshmëria e marrëveshjeve që SHBA dhe BE pretendojnë se janë ligjërisht të detyrueshme. Drejtoi zgjedhje të padrejta dhe mashtruese dhe po shtyp me dhunë protestat [e opozitës serbe]”, shtoi ai.
Në prizmin e tij, reagimi i Perëndimit, përkatësisht i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndaj këtyre çështjeve “ka qenë i dobët”.
“Uashingtoni dhe Brukseli nuk kanë bërë asgjë për të kundërshtuar këto sjellje provokuese të Serbisë. Rezultati i dobët është pranimi i targave të Kosovës nga Beogradi pa mbuluar ofensivën ‘R’ për ‘Republikën’”, shtoi.
“Derisa të ketë pasoja të vërteta, Serbia do të vazhdojë lëvizjen e saj drejt lindjes në krahët e Putinit, Xi, Aliyev, Lukashenkos dhe Orbanit”, theksoi ai ndër të tjera.