Parku “Banja” në Gjilan, rregullimi i të cilit kushtoi 250 mijë euro, pa u bërë asnjë as dy muaj prejse është përuruar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i këtij qyteti Alban Hyseni, është dëmtuar dhe është shndërruar “në strehë” të personave që konsumojnë substanca narkotike.
Për ish-kryetarin e kësaj komune, Lutfi Hazirin, parku që posedon 17,000 metra katrorë i cili është paraparë që do të shërbejë për argëtim, sport dhe aktivitete të tjera rekreative, “është gjysmak dhe i punuar keq”.
“Unë e kam dizajnuar këtë projekt edhe kanë qenë mjetet e ndara. Ky projekt është gjysmak. Të gjitha drunjtët dekorativ, pemët dhe gjelbërimi janë dëmtuar sepse është punuar keq dhe pa asnjë lloj standardi”, thotë Haziri për Albanian Post.
Mirëmbajta e këtij parku sipas Hazirit, është kompetencë e komunës e cila sipas tij, po lejon që dëmtohet kjo hapësirë gjelbëruese e paraparë për shfrytëzim nga qytetarët.
“Është çështje drejtpërdrejt e komunës siç është edhe stadiumi i qytetit, këto vende janë bërë strehë për përdoruesit e drogave. Kurti e ka përuruar projektin ma të keq që në Gjilan është realizuar ndonjëherë”, potencoi ish-kreu i Gjilanit.
Ndërsa e kontaktuar nga AP, nënkryetarja e Gjilanit, Leunora Bunjaku, ka thënë se nuk ka informacion për këtë çështje, derisa e ka mohuar se është dëmtuar parku.
“Kontaktoni shërbimet publike, po nuk është e vërtet që është dëmtuar ai park, por policia sigurisht është duke u marrë me këtë çështje. Dilni edhe shihini se çfarë mrekullie është bërë”, theksoi Bunjaku.
Më 1 dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti kishte marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të parkut “Banja” dhe kishte përgëzuar kryetarin Hyseni për “punën e madhe” në realizimin e projekteve.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, lidhur me përurimin e parkut pati theksuar se tashmë kjo hapësirë është në shfrytëzim të qytetarëve, familjarëve dhe sportistëve.