Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Lushnjë, ku një qendër tregtare është përfshirë nga flakët.
Balla shkruan se është krijuar një situatë tepër e vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme.
“Një zjarr i madh në Qendrën Tregtare Metropol në Lushnjë ka krijuar një situatë tepër të vështirë rreziku, ndërsa ndërtesa ka dhe mjedise banimi në katet e sipërme. Forcat zjarrfikëse dhe policia po luftojnë për të vendosur nën kontroll situatën e rëndë”.
Ndërkaq Policia ka bërë me dije se zjarri është pikasur rreth orës 14:40.
Nga të dhënat e para, dyshohet se zjarri ka nisur nga kabllot elektrike në tubat e ajrimit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë dhe Forca e Posaçme Shqiponja kanë shkuar në vendngjarje dhe po marrin masa për evakuimin e qytetarëve dhe banorëve në qendrën tregtare”.
Gjithashtu, janë dërguar edhe forcat e sigurisë kombëtare në mbështetje të Policisë Vendore për evakuimin e qytetarëve.
Policia njofton se është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit.
Lajmi në përditësim