Kandidatja e pavarur, Yekaterina Duntsova nuk do të lejohet të paraqitet në fletëvotimin e zgjedhjeve presidenciale ruse pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) refuzoi dokumentet e saj të kandidimit.
Duntsova, 40, gazetare dhe politikane lokale nga rajoni Tver në veriperëndim të Moskës, shpalli kandidaturën e saj për presidencë përmes një platformë pro paqes dhe pro-demokracisë.
Këtë javë, ajo siguroi mbështetjen e një grupi iniciativë prej më shumë se 500 mbështetësish siç kërkohet për kandidatët që nuk janë pjesë e një partie politike.
Në një takim të shtunën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) hodhi poshtë dokumentet e saj, duke thënë se gjeti mbi 100 gabime shtypi dhe gabime të tjera, shkruan themoscowtimes.
“Ne i kemi studiuar me kujdes dokumentet dhe kemi përshtypjen se ato janë plotësuar me nxitim pa respektuar standardet ligjore”, citoi shërbimi rus i BBC-së, anëtarin e KQZ-së, Yevgeny Shevchenko, të thoshte në mbledhjen e komisionit.
Nëse KQZ-ja do t’i kishte pranuar dokumentet e saj, atëherë asaj do t’i duhej të mblidhte 300 mijë nënshkrime unike votuesish nga të paktën 40 rajone të Rusisë për të qenë në gjendje të paraqitej në fletëvotim.