Posti i selektorit të Kosovës në futboll vazhdon të jetë vakant. Por përfundimisht kjo zbrazëti nuk do të mbulohet nga trajneri spanjoll, Roberto Moreno.
Ashtu si pritej, Moreno të premten u emërua trajner i skuadrës ruse, Sochi. Zyrtarizimi te Sochi u bë pak ditë pasi drejtues të FFK-së, duke përfshirë presidentin Agim Ademi, kishin takim me Morenon dhe përfaqësuesit e tij në Stamboll.
Në fakt ishin përfaqësuesit e Morenos që kanë vënë kontakt me Federatën e Futbollit të Kosovës para se të mbahej takimi në Stamboll. Në Federatën e Futbollit të Kosovës e kanë vlerësuar Morenon si opsionin më të mirë prej shumë kandidaturave që kanë pranuar. Dilema e vetme para se ai të zgjidhej ishte kostoja financiare dhe mundësia e FFK-së për ta mbuluar atë.
Por Kosova nuk ishte opsioni i vetëm për Morenon, trajnerin me suksese jo të vogla. Që në ditën kur u takua me drejtuesit e FFK-së, Moreno e kishte opsion edhe Sochin. Dhe të premten bashkëpunimi me këtë skuadër u bë zyrtar.
FC Sochi si klub me këtë emër është themeluar vetëm në vitin 2018. Ka katër edicione që luan në elitën ruse. Edicionin e kaluar ishte i dhjeti, ndërsa në vitin 2022 ishte i dyti.
Moreno ishte asistent te Barcelona B e më pas asistent te Roma. Ka vazhduar si asistent te Celta Vigo e te Barcelona, ndërsa si trajner i parë ishte te Monaco dhe te Granada.
Në vitet 2018 e 2019 ishte asistent i selektorit të Spanjës, Luis Enrique. Në vitin 2019 ishte trajner i parë i Spanjës në dhjetë ndeshje, pasi Enrique u tërhoq përkohësisht. Por kishte pretendime ta marr postin e selektorit të përkohshëm dhe Enrique pas kthimit e largoi nga stafi.
Tani do të punoj në Rusi, futbolli i të cilit vend nuk është në momentin më të mirë. Shumë lojtarë kanë ikur nga Rusia për shkak se UEFA nuk lejon paraqitjen e ekipeve ruse në garat e saj. Ky vendim u mor për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Por Moreno megjithatë ka vendosur për të punuar në Rusi. Me shumë mundësi paga e tij do të jetë e lartë.
Tekniku spanjoll ishte pa angazhman që nga marsi i vitit 2022.
Sochi është i fundit në kampionatin rus me vetëm 11 pikë nga 18 ndeshje.