Analiza e Institutit GAP për ndarjet buxhetore për vitin 2024, që nxjerr se investimet kapitale të Qeverisë Kurti janë të fokusuara në komunat ku udhëheq partia Vetëvendosje, kanë nxitur shumë reagime.
“Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV), ku mbi gjysma e kësaj shume 13 milionë euro (59.5%) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime)”, thuhet në analizën e GAP.
Ndaj këtij diskriminimi të Qeverisë, edhe qytetarët patën reagime të ndryshme. Pati edhe prej atyre që e futën në “garë” edhe ‘super konsulentin’ Gani Jakupi i cili për një vit merr 90 mijë euro.
Nëse imagjinojmë një tabelë ku është i përfshirë edhe Gani Jakupi, ai do të dilte para Komunës së Skenderajt, e cila nuk merr asnjë cent nga Qeveria dhe renditet menjëherë pas Komunave si; Drenas (185,000), Mamushë (100,000) dhe Suharekë (100,000) [Nga komentet më interesante të qytetarëve].
Reagime të shumta për diskriminimin që Qeveria Kurti bëri në ndarjen e buxhetit për Komunat
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se ‘ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve që prej çlirimit të vendit tonë”.
“Derisa për katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, Qeveria ka ndarë më shumë se gjysmën e buxhetit për investime të reja kapitale për vitin 2024, për katër komuna që udhëhiqen nga Partia Demokratike e Kosovës – Ferizajn, Skënderajn, Kaçanikun e Hanin e Elezit, nuk është ndarë asnjë cent.
Gjilani, Shtimja, Kamenica dhe Podujeva përbëjnë 11.6 % të popullsisë së Kosovës, ndërsa u është ndarë 59.5 % e buxhetit për investime të reja kapitale.
Ndërkaq, për të gjithë të tjerët, që janë 88.4 % e popullsisë, Qeveria ka ndarë vetëm 40.5 % të këtij buxheti.
Ky është diskriminimi më i egër institucional ndaj qytetarëve në historinë e Kosovës, që prej çlirimit të vendit tonë.
Kultura politike në Kosovë ka nevojë të shtensionohet e të rritet bashkëpunimi, jo të instalohet kjo kulturë e hakmarrjes dhe diskriminimit.
Kjo qasje e Qeverisë kundër qytetarëve të komunave të cilat nuk i drejton partia në pushtet është shantazh i ulët politik.
Unë ftoj edhe deputetët e Vetëvendosjes, krahas atyre të opozitës, që me votën e tyre të mos e vulosin këtë propozim diskriminues të Qeverisë.
Është e turpshme dhe e papranueshme të votohet për një buxhet të tillë”, shkruan Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Daut Haradinaj i AAK-së, po ashtu pati një reagim të ashpër duke pyetur se “a janë taksapaguesit e komunave ku nuk qeverisë Vetëvendosje të barabartë me taksapaguesit e komunave të tjera?”
“Nëse po, si është e mundur që prej po këtyre taksave të përfitojnë vetëm komunat që udhehiqen nga VV. Po buxhetin e shtetit nuk ia ka lënë baba as Kryeminisrit e as Ministrit të Financave, që ta ndajnë atë siç ju teket.
Kjo është jo vetëm e papranueshme por edhe e pamoralshme. Mos i detyroni qytetarët që t’i refuzojnë edhe taksat edhe shtetin. Mos e ndani këtë shoqëri edhe në buxhetin e shtetit, se nuk ju falet”, shkruan Haradinaj, përcjell Periskopi.
E nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se një komunë si Ferizaji që paguan afër 20% të tatimeve në krejt Kosovën, është lënë me zero investime.
“Paramendoni, Ferizaji që paguan afër 20% të tatimeve në krejt Kosovën, e që krijon dhjetëra mijëra vende pune dënohet nga Qeveria qendore me zero investime të reja kapitale.
Skenderaji i lirisë së Kosovës, i Adem Jasharit dhe UÇK-së dënohet me zero investime poshtu. Njesoj edhe me një mori komunash tjera. A janë vallë fëmijët e qyteteve opozitare me pak të vlefshëm?
A janë drenicasit dhe ferizajasit e qindra mijëra qytetarë tjerë më pak të rëndësishem se ata të katër komunave të VV-së ku po shkojnë 60% e projekteve të reja kapitale? Pse po e ndani këtë popull, ose pse po vazhdoni ta ndani tash e sa vite.
Boll ma me përçarje! Shkoni. Sa ma shpejt shkoni se s’jeni për asgjë!”, shkruan ajo, përcjell Periskopi.
Reagime edhe nga shoqëria civile dhe gazetarët kosovarë
Për gazetarin Lirim Mehmetaj, diskriminimi i tillë për disa komuna, në veçanti Skënderajn, paraqet ‘poshtërsi të kësaj qeverie’.
“Kosova i ka 38 komuna.
Në investimet e reja kapitale që vijnë nga Qeveria e Kosovës 59.5 për qind të investimeve shkojnë vetëm për katër komuna derisa për 34 komuna të tjera vetëm 40.5 për qind.
Katër komunat që marrin pjesën dërrmuese të investimit janë katër komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Disa komuna, si ajo e Skenderajt (ashiqare) nuk merr asnjë cent.
Kurse p.sh nëse llogaritet për kokë banori, për një qytetar në Shtime janë ndarë 102 euro, derisa për një qytetar në Suharekë 1 euro e 70 centë.
Nga 21 milionë e 876 mijë e 833 euro (që janë shumë pak) mbi 13 milionë shkojnë për vetëm 4 komunat që udhëhiqen nga Vetëvendosja, kurse të gjitha komunave të tjera të Kosovës iu ngelen nja 8 milionë e diçka.
Këta janë njerëz të poshtër shumë, dijeni.
Përse bëjnë padrejtësi kaq të mëdha dhe kaq hapur?
Sepse nuk u ha palla për qytetarë, nuk ndjejnë kurrfarë kërcënimi dhe nuk kanë frikë nga ndëshkimi.
Por, shpulla që kanë me e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme do të jetë aq e rëndë e aq e zhurmshme saqë do mbahet mend si shpullë historike”, shkruan Mehmetaj.
Drejtori i Institutit Kosovar për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka ironizuar duke thënë se ‘mirë që investimet nuk kanë shkuar në Norvegji’.
“Mos u ankoni se ndarja buxhetore për vitin 2024 nuk ish edhe keq.
Tash kend e kemi Minister të Financave dhe Kryeminister, tepër mirë është
Kanë mundur me i nda disa dhjetëra miliona Euro ndihma sociale për shkollat fillore në Norvegji”, shkruan Miftaraj.
Gazetari Parim Olluri, e quan të turpshëm diskriminimin e Qeverisë Kurti ndaj Skënderajt.
“Çfare faji ka Drenica?
Zero cent Skenderajit, vec 180 mije Drenasit per investime kapitale.
Ky veprim i Qeverise Kurti eshte i turpshem. Eshte per marre. Nuk kam besu qe edhe pas luftes do te flitet per vendime shtypese ndaj Drenices si rajon”, shkruan ai.