Lajme
Haxhi Shala dërgohet në Hagë
Demokracia
10:49 | 12 Dhjetor 2023

Share:

Ish-deputeti Haxhi Shala është dërguar në Gjykatën Speciale në Hagë.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar, avokati i tij, Xhevdet Smakiqi.

“Para një ore është nisur me aeroplan për në Hagë. Në mëngjes me urdhër të ZPS-së është dërguar”, ka thënë ai.

Të hënën, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-politikani, Haxhi Shala, i njohur me nofkën “Topi”, është intervistuar nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale në Hagë.

Veç intervistimit të Shalës, janë kryer edhe bastisje në qytetin e Malishevës.

Nga zyra për media e Speciales kanë konfirmuar për Albanian Post operacionet, por pa shumë informacion.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, tha në një përgjigje për AP-në, Chris Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ndërsa për Shalën nuk është dhënë asnjë informacion.

Për shkak të mungesës së informacioneve nuk është e qartë nëse intervistimi i serishëm i tij ka të bëjë me ndonjë akuzë që rëndon mbi të si ish-komandant i UÇK-së, apo ka të bëjë me ndonjë akuzë për “ndërhyrje në drejtësi”, për çka janë bastisur këto kohët e fundit disa persona në Kosovë.

Shala një herë kishte dhënë intervistë para prokurorisë në Hagë, në vitin 2020.

Ai e kishte bërë vetë të ditur se është ftuar për intervistim nga Specialja.

Të ngjashme