Arkitekti Visar Geci ka folur për liberalizimin e vizave për kosovarët, jetën në Perëndim dhe kushtet atje.
Geci tha se njerëzit në Perëndim shumica jetojnë me qira, për dallim prej Kosovës që sipas tij, shumica i kanë pronat e veta, të trashëguara apo blera.
“Qiraja luan shumë rol të madh. Atje të shkosh të punosh, nëse je vet i dyti me një banesë shpëton më lehtë, por nëse je veç vet, rroga shkon komplet për harxhime të qeras”.
“Përndryshe ka edhe qira që janë nga 300-400 euro, por duhet të hysh në një hapësirë vet i 20-ti. Pra, e paguan vetëm shtratin, jo edhe hapësirën”, tha Geci në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se qytetarët e Kosovës duhet që të dalin patjetër, pasi siç tha, është e drejta e secilit që të jetë i lirë të shëtis.
“Edhe mundësi pune ka sa të duash. Më duket që Gjermanisë i duhen 1 milion punëtorë të kualifikuar. Por, ata që janë të kualifikuar dhe që punojnë, s’ma merr mendja që i kanë punët keq asnjëri. Nëse je punëtor, kanë me pasë më mirë në Kosovë se do të jenë afër familjes”, tha ai.