Lajme
Lufta kundër migracionit ilegal, më shumë se 400 fëmijë të mitur kapen në kufi të Afrikës së Jugut
Demokracia
17:03 | 04 Dhjetor 2023

Share:

Dhjetra autobusë që transportonin më shumë se 400 fëmijë që ishin të pashoqëruar janë kapur në Afrikën e Jugut në një operacion kundër migracionit të paligjshëm, kanë thënë autoritetet.

Zyrtarët e kufirit të Afrikës së Jugut thanë se 443 fëmijë nën moshën tetë vjeç u gjetën duke udhëtuar nga Zimbabve pa prindër ose kujdestarë ligjorë. Fëmijët po trafikoheshin në Afrikën e Jugut, thanë zyrtarët.

Policia ndaloi dhe kontrolloi 42 autobusët që hynin përmes anës së Zimbabvesë të postës kufitare Beitbridge të shtunën në mbrëmje, dhe më pas ata u kthyen në Zimbabve, shkruan Sky News.

“Ne ua ndaluam hyrjen dhe aktivizuam zyrtarët e Zimbabvesë për t’i rikthyer përsëri në Zimbabve,” tha Mike Masiapato, komisioneri i Agjencisë së Menaxhimit të Kufirit të Afrikës së Jugut.

Megjithatë, një organizatë që përfaqëson shtetasit e huaj që jetojnë në Afrikën e Jugut ka sugjeruar një shpjegim tjetër të mundshëm për hyrjen e tyre në Zimbabve. Forumi i Diasporës Afrikane tha se besonte se fëmijët po dërgoheshin për të vizituar prindërit e tyre që punojnë në Afrikën e Jugut.

Ngqabutho Mabhena, kryetar i organizatës, tha se ishte e zakonshme që fëmijët të dërgoheshin përtej kufirit pa dokumentacion të duhur, veçanërisht afër fundit të vitit.

Mabhena tha: “Ne gjithmonë u themi prindërve nga Zimbabveja që jetojnë në Afrikën e Jugut se, nëse ata rregullojnë që fëmijët e tyre të vijnë në Afrikën e Jugut, ata duhet të… rregullojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.Është e papërgjegjshme që prindërit të lënë fëmijët të udhëtojnë pa pasaportë dhe të udhëtojnë me të panjohur. Këtë e kemi adresuar me prindërit”.

Më shumë se një milion Zimbabveanë jetojnë në Afrikën e Jugut, shumë prej tyre ilegalisht. Shumë u zhvendosën gjatë 15 viteve të fundit për t’i shpëtuar trazirave ekonomike në Zimbabve. Afrika e Jugut nisi një forcë të re kufitare në tetor për të shtypur migracionin e paligjshëm.

Të ngjashme