Trupat izraelite kanë gjetur 800 tunele që të çojnë në rrjetin e gjerë nëntokësor të Hamasit që kur filluan operacionet e tyre tokësore më 27 tetor, thanë sot Forcat e Mbrojtjes të Izraelit. Sipas ushtrisë, më shumë se gjysma e tuneleve janë shkatërruar.
Hamasi ka thënë më parë se ka qindra kilometra tunele, një rrjet i krahasueshëm në madhësi me sistemin e metrosë së Nju Jorkut, për të mbrojtur dhe për të shërbyer si baza operacionale. Ndërsa Izraeli ka pretenduar se shumë nga tunelet janë të vendosura nën ndërtesa civile, duke përfshirë spitalin më të madh të Gazës, al Shifa, por grupi militant ka mohuar pretendimin.
“Boshtet e tunelit ishin të vendosura në zona civile, shumë prej të cilave ishin afër ose brenda ndërtesave dhe strukturave civile, si shkolla, kopshte, xhami dhe kënde lojërash,” tha IDF në një deklaratë.
IDF bëri me dije se nga rreth 800 tunele të zbuluara, 500 ishin shkatërruar duke përdorur një sërë metodash operacionale, duke përfshirë shpërthimin dhe mbylljen. Ekzistenca e tuneleve poshtë ndërtesave e sidomos ato publike ka qenë një pikë kyçe e sulmeve izraelite, pasi ky i fundit ka pretenduar se këto tunele ishin baza ku fshiheshin dhe drejtonin sulmet grupi i Hamasit.