Rexhep Qosja, akademik i njohur, ka botuar para dy dite një shkrim relativisht të gjatë në profilin e tij në “Facebook”. Më saktë, shkrimi i Qosjës është fragment nga libri i ardhshëm testamentar me titullin “Alfabeti i kulturës demokratike”. Në këtë shkrim, Qosja ka bërë disa përfundime që e ngjallin kureshtjen, duke e kritikuar idenë e kombit kosovar, ndër të tjera.
Përveç kritikës ndaj kësaj ideje, Qosja ka edhe disa fjali interesante e me dykuptimësi, të cilat mund të lexohen edhe si kritika ndaj pushtetit në Kosovë, por, së paku, në një rast, edhe atij në Shqipëri. Çka shkroi akademiku 87-vjeçar?
Kritika nr. 1: Kombi kosovar
Ndoshta kritika më e hapur, pra më e drejtpërdrejtë, është ajo ndaj idesë së kombit kosovar dhe kritikës ndaj gjuhës së standardizuar.
Në fakt, për këtë të fundit, pra për kritikën ndaj gjuhës së standardizuar, është e kuptueshme që Qosja ka një mendim negativ, pasi ishte edhe vetë pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit, që u organizua në vitin e largët, 1972. Madje, në 50-vjetorin e këtij kongresi, Qosja e cilësonte atë si “ngjarjen më të madhe në historinë e kulturës shqiptare”.
Por çfarë shkroi Qosja për këto dy tema?
“Është thënë prej një vargu studiuesish tanë se përpjekjet kundër gjuhës standarde realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.
Është thënë prej shumë të tjerëve se përpjekjet për krijimin dhe njohjen e kombit kosovar realizohen si përpjekje kundër identitetit kolektiv të shqiptarëve.
Si të parat ashtu edhe të dytat janë përpjekje kundër Kombit shqiptar” – shkroi Qosja në një postim, i cili tashmë është pëlqyer nga afro 600 persona.
Kritika nr. 2: Pushteti
Në shkrimin e tij, Qosja ka disa kritika për pushtetin dhe, në një moment, edhe për pushtetarët e sotëm. Në një paragraf, Qosja vlerëson se njeriu nuk e ka të vështirë të bindet që disa pjesëtarë të klasës politike më shumë mendojnë e përpiqen të marrin prej Shqipërisë e Kosovës sesa t’u japin këtyre dy vendeve.
“Nuk është vështirë të bindet njeriu, që e përcjell gjendjen politike, shoqërore, shtetërore shqiptare se disa pjesëtarë të klasës politike më shumë mendojnë e përpiqen të marrin prej Shqipërisë e Kosovës sesa t’u japin atyre. Ajo që japin çmohet në mënyra të ndryshme, kurse ajo që marrin quhet korrupsion, ryshfet, plaçkitje, uzurpim, vjedhje e ku ta dimë si ndryshe” – shkruan akadamiku Qosja.
Tutje, në një fjali, Qosja e përmend sintagmën “pushtetarët tonë të sotëm”, por pa sqaruar saktë se për cilët pushtetarë e ka fjalën. Për më shumë, nuk sqaron as për cilin vend e ka fjalën, për Kosovën apo për Shqipërinë, pra për Albin Kurtin dhe qeverinë e tij, në njërën anë, apo për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, në anën tjetër. Ndoshta edhe për të dyja palët.
“Me politikën e tyre disa nga pushtetarët tonë të sotëm i kanë përmbysur kodet historike, demokratike, kulturore dhe sociale!” – shkruan Qosja.
Prapë, Qosja është enigmatik, duke mos përmendur me emër se kush janë këta “disa pushtetarë”, ndonëse pushteti në Kosovë udhëhiqet nga Kurti, ndërsa pushteti në Shqipëri nga Rama.
Natyrisht, autori i përveçëm i këtij shkrimi, por as Nacionale në përgjithësi, nuk e kanë idenë se çfarë ngarkese kuptimore shënojnë termet “sot, i sotëm” në botëkuptimin e Qosjes. Duke marrë për bazë jetëgjatësinë e Qosjes (aktualisht 87-vjeçar), termet “sot, i sotëm” mund të kenë kuptime të tjera në krahasim me ato që mund t’ua veshë autori 31-veçar i këtij shkrimi.
Kritika nr. 3: Sali Berisha
Sigurisht, Qosja nuk ka harruar që ta kritikojë Sali Berishën, ish-president i Shqipërisë. Ndonëse nuk e përmendi me emër të përveçëm, ai la të nënkuptohej se po fliste për Berishën në një paragraf të mbushur me kritika të ashpra.
Në këtë kontekst, Qosja akuzon se politika e tij, pra e Berishës, përcaktohej prej “shfrenimeve të pushtetshme, të cilat as kultura dhe as etika nuk kanë mund t’i ndalojnë e as t’i frenojnë.
“Si po shihet sot dhe si është parë e dëgjuar edhe më herët kur e sundonte Shqipërinë, herë si kryeministër, herë si kryetar i shtetit e gjithnjë si kryetar i Partisë Demokratike, politika e tij përcaktohej prej shfrenimeve të pushtetshme të cilat as kultura dhe as etika nuk kanë mundur t’i ndalojnë e as t’i frenojnë. Dhe, s’po mund t’i frenojnë as sot. E kuptueshme. Ato nuk udhëhiqen nga vetëdija e ndërgjegjja” – shkruan Qosja.