Ushtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, tha se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, nuk i ka ftuar në takim, madje as nuk kanë adresë të saj.
Ai më tej ka sqaruar se për vizitën janë njoftuar në medie, duke shtuar se ajo nuk ka për cka të diskutojë me mediet e shoqërinë civile për punën e gjykatës.
Klinaku pohoi se Specialja po shkel të drejtat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke ua mohuar kontaktet e vizitat me familjarët.
“Siç e dini edhe pse nuk jemi organizatorë të kësaj proteste, protestën që e ka thirrur PSD-ja e kemi mbështetur për shkak që si organizata të dala nga lufta konsiderojmë që nuk është roli i gjykatësit apo sidomos kryetares që të merret e të diskutojë më shoqërinë civile, me mediet për zhvillimet në Gjykatën Speciale. Do të bënte mirë që zonja Trendafilova, të bënte mirë për të drejtat e njeriut që iu shkelen të paraburgosurve që tash iu kanë ndaluar edhe komunikimet, që është absurditet”.
“Pasi kjo po vjen është mirë që së paku të mos e ndaj shoqërinë civile, ata shokët tanë që janë në burgun e Hagës, do të ishte mirë, do të duhej që të na ftonte ne. Nuk kemi kërkuar takim zyrtar, sepse ajo as që ka dërguar ftesë. Ajo do të duhej që të na dërgonte neve ftesë, ne as adresën nuk ia dimë, edhe ftesat që i bënë, takimet po i mban fshehtë. Prej mediave ne e kemi zbuluar kur vjen”.