Lajme
Bashkimi kombëtar “sport” i rëndë për Kurtin dhe VV-në | Dikur premtonin Ligjin për Referendum që ta pyesnin popullin për bashkim kombëtar, por në pushtet hoqën dorë nga ideali i madh kombëtar
Demokracia
13:18 | 28 Nëntor 2023

Share:

“Ende nuk kemi parë asnjë iniciativë të asnjë qeverie për ta proceduar në Kuvendin e Republikës së Kosovës projektligjin për referendum dhe duke qenë kështu, ne si subjekt politik e kemi draftuar këtë projektligj dhe brenda kësaj jave do ta procedojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Ky ishte premtimi i ish-deputetes Albulena Haxhiu, e cila më 10 prill 2018 kishte mbajtur konferencë në emër të partisë së Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, me të cilin po i jepej fund një dekade ku shteti i Kosovës nuk kishte një Ligj për Referendumin, shkruan Demokracia.com.

Vetëm më shumë se një muaj nga kjo iniciativë e paralajmëruar, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e vlerësonte Ligjin për Referendum si të domosdoshëm, përmes së cilit qytetetarët do të fitonin të drejtën e tyre për t’u deklaruar nëse janë për t’u bashkuar me Shqipërinë.

“Duhet t’ia japim fjalën qytetarëve. Nëse e duan bashkimin kombëtar, atëherë ai duhet të ndodhë. Nuk është e drejtë që Kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon të drejtën popullit”, deklaronte Kurti më 31 maj 2018 në një intervistë në Top Channel.

Por, që nga ajo kohë, vitet kanë rrjedhur dhe skena politike në Kosovë ka ndryshuar. Albin Kurti është kryeministër dhe Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet që nga viti 2020, ndërkaq, si asnjë parti tjetër, nga shkurti i vitit 2021 Vetëvendosje ka gjysmën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Që nga ajo kohë, Qeveria e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti nuk kanë bërë asnjë lëvizje në drejtim të hartimit të Ligjit për Referendum në Republikën e Kosovës.

Përveç heqjes dorë nga kjo iniciativë, kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë hequr dorë edhe nga diskursi për bashkim kombëtar. /Demokracia.com/

https://demokracia.com/2-marsi-1444-dhe-2-marsi-2021-si-e-zgjodhi-albin-kurti-beselidhjen-e-skenderbeut-ne-lezhe-per-te-hequr-dore-nga-bashkimi-kombetar

Të ngjashme