Ka dështuar të fillojë regjistrimi i popullsisë që ishte paraparë të nis që nga 1 nëntori. Agjencia e Statistikave të Kosovës që bënë regjistrimin kanë hedhur fajin tek Ministria e Financave, teksa ministri Hekuran Murati tek ASK-ja. Express ka kërkuar edhe njëherë sqarime sot nga të dyja palët, se pse ky proces nuk ka filluar ende së zbatuari, por ata nuk kanë kthyer përgjigje në interesimin e gazetës.
Ndonëse ishte paraparë që të nis më 1 nëntor, procesi i regjistrimit të popullsisë nuk dihet se kur do të fillojë. Arsyetimi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës ka qenë se Ministria e Financave ka gisht në mos fillimin e procesit.
Zëvëndëskryeshefi i ASK-së, Ilir Berisha ditë më parë ka thënë se formimi i komisioneve për mbikëqyrës dhe regjistrues ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave.
E tani ai tha se janë në pritje të formimit të këtyre komisioneve, gjë që ka shtyrë edhe procesin për nisjen e regjistrimit të popullsisë.
“Në anën tjetër ende nuk i kemi siguruar mbikëqyrësit dhe regjistruesit për t’i angazhuar në projektin e regjistrimit të popullsisë. Konkursi është ende i hapur për shkak se nuk është numri i mjaftueshëm i të aplikuarve, nuk janë formuar komisionet për rekrutimin e tyre dhe për intervista, vlerësimin e tyre që ka qenë pjesë e vendimit të Ministrisë së Financave që t’i bëjë këto komisione, përkundër që neve kemi propozuar…Kështu është e pamundshme të realizohet regjistrimi me 1 nëntor…Komisionet për rekrutimin, ne i kemi propozuar komisionin për pranimin e mbikëqyrësve dhe në bazë të vendimit që është hap ky konkurs për angazhim një muaj, në vendim shkruhet se komisionet i krijon Ministri i Financave. Ne i kemi dërguar propozimet dhe jemi në pritje të themelimit të këtyre komisioneve”, kishte thënë Berisha.
E ndryshe ka thënë Ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai para disa ditësh deklaroi se e kanë ndihmuar ASK-së për procesin e regjistrimit, por që sipas tij si ministri nuk janë përgjegjës për këtë proces.
“Ministria e Financave ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për t’i kryer disa punë që ata (ASK) nuk kanë pasur resurse t’i përfundojnë…Ne e kemi marrë atë vendim dhe i kemi ndihmuar ASK-së…Është problem kur dikujt i ndihmon, mundohet t’i fajësoj atë që po e ndihmon. Ministria e Financave nuk e ka përgjegjësi regjistrimin e popullsisë, e ka ASK-ja”, thotë Murati për KP.
Express ka provuar sot të marrë edhe një qëndrim nga këto dy palë, por asnjëra nuk është përgjigjur në pyetjet e mediumit.
Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19.
Ndryshe, regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.