Parlamenti i Izraelit (Knesset) miratoi mbrëmë vonë një amendament për të kriminalizuar shikimin apo leximin e përmbajtjeve pro-Hamas-it, transmeton Anadolu.
Ligjvënësit votuan për të ndryshuar ligjin kundër terrorizmit për ta bërë vepër penale “përdorimin e materialeve terroriste”.
Ligji ndalon individët nga “përdorimi sistematik dhe i vazhdueshëm i publikimeve të një organizate terroriste në rrethana që tregojnë identifikim me organizatën terroriste”.
Amendamenti identifikon lëvizjen palestineze Hamas dhe grupin DEASH si organizatat “terroriste” për të cilat zbatohet vepra penale, e cila dënohet maksimalisht me një vit burg.
Ligji u miratua si një masë e përkohshme dyvjeçare, por mund të zgjatet nga parlamenti në fund të kësaj periudhe.
Amendamenti erdhi pasi ushtria izraelite vazhdoi sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor.
Të paktën 10.569 palestinezë, duke përfshirë 4.324 fëmijë dhe 2.823 gra, janë vrarë që atëherë. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i viktimave nga pala izraelite është pothuajse 1.600.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive, furnizimet bazë po mbarojnë për 2,3 milionë banorët e Gazës për shkak të rrethimit izraelit.