Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë filluar implementimin e obligimeve që dalin nga marrëveshja e detyrueshme në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Szunyog ka thënë se Komisioni Evropian ka propozuar një plan të ri financiar si pjesë e një mekanizmi të ri financiar për të lehtësuar konvergjencën ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe standardeve ekonomike të BE-së, gjithashtu pre të bërë incentivat financiare që zgjerimi i BE-së të ndodhë sa më shpejtë.
Ai ka thënë se meqenëse Kosova mbetet në fazë të hershme të zhvillimit të sistemit gjyqësor duhet edhe më tutje t’i fuqizojë veglat duke mbrojtur integritetin, llogaridhënien pavarësinë dhe efikasitetin e sistemit gjyqësor.
Sipas tij, raporti rekomandon që Kosova të bëjë më shumë në përpjekje për të implementuar legjislacionin kundër korrupsionit që është miratuar kohëve të fundit.
Ka shtuar se sa i përket financimit të krimit të organizuar, Kosova duhet të bëjë hetime më prokative dhe duhet të punojë në konfiskimin e aseteve të jashtëligjshme.
Ambasadori i BE-së në Kosovë ka deklaruar se kapacitetet për monitorim të politikave dhe legjislacionit janë përmirësuar, ekonomia ka shënuar qëndrueshmëri por ende ka nevojë që të trajtohen disa sfida afatgjata.
“Sa i përket konkurrueshmërisë dhe rritjes ekonomike ka bërë progres, në agjendën e gjelbër dhe infrastrukturën rrugore janë bërë përmirësime. Sa i përket tregtisë Kosova ka bërë progres. Mirëpresim progresin e Kosovës në reformat drejtë anëtarësimit në BE duke shikuar mundësitë që nuk duhet të ketë hapësirë për mospajtime për miratimin e reformave. Kosova është e përgatitur mesatarisht në prokurimin publik, qarkullimin e mallrave, politika monetare dhe ekonomike”, ka thënë ai.
Ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se këto nuk janë deklarata boshe.