Lajme
SHBA-ja, Kina, Rusia dhe Irani| Sa rëndësi ka sot fuqia bërthamore?
Demokracia
19:56 | 07 Nëntor 2023

Share:

Në sistemin e paqëndrueshëm multipolar që është shfaqur vitet e fundit (dhe që vazhdon të marrë formë ende sot), fuqia bërthamore mbetet një nga aspektet kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtare, me objektiva dhe qëllime të ndryshme sipas rastit.

Rusia sapo është tërhequr nga Traktati i Ndalimit Gjithëpërfshirës të Testeve Bërthamore, duke ndjekur një trajektore të kundërt me atë të Kinës, e cila mund të nisë një dialog të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara, pikërisht mbi kontrollin e armëve bërthamore.

Po sa peshojnë dhe si ndikojnë ende armët bërthamore mbi fuqitë botërore? Ne biseduam për këtë me Ludovica Castelli, eksperte e armëve bërthamore në Universitetin e Lestër në Britani. Sipas saj, armët bërthamore mbeten ende të rëndësishme sot në politikat e fuqive kryesore revizioniste të sistemit aktual.

Kuadri ndërkombëtar aktual po ndryshon me shpejtësi, me një normë paqëndrueshmërie gjithnjë e në rritje. Çfarë roli luajnë armët bërthamore në dinamikat e këtij transformimi?
Luajnë një rol që nuk është aspak i papërfillshëm. Të hënën përfaqësuesit kinezë dhe ata amerikanë u takuan për të diskutuar mbi kontrollin e këtyre armëve. Një ngjarje e rrallë, e cila ka megjithatë një vlerë të fortë simbolike, duke pasur parasysh se Kina i është qasur gjithmonë me ngurrim çështjes së kontrollit të armëve të tilla.

Sepse historikisht kjo qasje është parë prej saj si një formë e qeverisjes “perëndimore” dhe për rrjedhojë “imperialiste”. Por evolucioni i kontekstit ndërkombëtar, ka nxitur ndryshimin e qasjes nga Pekini. Sot kemi një interes të përbashkët tek dëshira për të hedhur themelet për një dialog, i cili në mënyrë ideale mund të marrë formën e një sërë diskutimesh zyrtare.

Lufta në Ukrainë, ka ndihmuar për të nxjerrë në qendër të vëmendjes pasigurinë e sistemit aktual të kontrollit të armëve bërthamore, por edhe brishtësinë e koncepteve si stabiliteti strategjik dhe parandalimi. Nuk është rastësi që një nga temat e diskutuara midis Uashingtonit dhe Pekinit, është ajo e llogaritjeve të gabuara.

Konteksti i Luftës në Ukrainë, i ka dhënë shumë hapësirë diskutimit mbi armët bërthamore. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim prej tij?
Në këtë skenar specifik, armët bërthamore kanë luajtur role të shumta dhe të ndryshme. Lufta në Ukrainë, është quajtur një “luftë konvencionale por nën hijen e armëve bërthamore”. Ajo është dëshmi se është e mundur të zhvillohet një konflikt i kufizuar në dimensionin konvencional, edhe nëse njëra nga palët e përfshira ka një armë bërthamore, që në rastin konkret është agresori. Është legjitime të supozohet se arsenali bërthamor i Moskës, kishte një funksion “sigurues” për udhëheqjen ruse, e cila shihte tek kapaciteti atomik i Federatës Ruse një formë “garancie” kundër një ndërhyrjeje të mundshme të drejtpërdrejtë nga NATO. Por ky është vetëm një spekulim.

Nga Rusia ka pasur një retorikë të ashpër, që nga vendosja në gatishmëri të lartë e forcave strategjike, deri tek kërcënimi i drejtpërdrejtë me përdorimin e pajisjeve të ngjashme, gjë që sugjeron se këto armë konsiderohen ende të përdorshme në kontekste lufte specifike.

Por gati 2 vjet pas fillimit të konfliktit, ne mund të theksojmë se si edhe një herë imponimi përmes armëve bërthamore, që bazohet tek kjo narrativë, mund të reduktohet në një ndikim shumë të kufizuar, dhe se si prania e një arsenali bërthamor, nuk garanton domosdoshmërisht sukses në një luftë konvencionale. Rusia priste ndoshta më pak mbështetje nga Perëndimi, apo një përgjigje më të matur nga pala ukrainase, pikërisht për shkak të retorikës së saj bërthamore. Por gjërat shkuan ndryshe.

Një vend tjetër, ku fuqia bërthamore përfaqëson një aspekt të spikatur të politikës së jashtme është Irani. Sa i fortë është vullneti i udhëheqjes së Teheranit për t’u pajisur me armë bërthamore?
Deri më sot, ajo që mund të themi me një farë besimi, është se llogaritja kosto-përfitim, që do të vinte nga zotërimi i këtyre armëve, e mban ende larg këtij opsioni Teheranin. Në fakt strategjia e mbrojtjes bërthamore, është shfaqur si një strategji optimale brenda doktrinës iraniane të sigurisë.

Zhvillimi i programit bërthamor, duke ruajtur një shkallë të caktuar paqartësie, përbën një mjet të mjaftueshëm parandalimi për Teheranin, që e lejon atë të shmangë izolimin e plotë ndërkombëtar dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të përmbushë detyrimet e tij sipas Traktatit të Mospërhapjes.

Ka disa hamendësime mbi kapacitetin material të Iranit që vijnë nga burime të ndryshme, të cilat kanë gjithsesi një rëndësi relative. Më e rëndësishme është pikërisht qasja e mjegullt, që është edhe objektivi kryesor që ndjek Teherani.

A ka aktorë të tjerë që do të preferonin të shihnin një “Iran bërthamor”?
Askush. As Kina, as Rusia dhe as SHBA-ja. Për të mos folur për ndonjë fuqi rajonale. Fuqitë e mëdha e kanë bërë gjithmonë të qartë, dhe në fakt kanë bërë përpjekje, veçanërisht Kina, për të rigjallëruar Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit, të “zhvlerësuar” nga tërheqja e SHBA-së prej tij në kohën e presidencës së Donald Trump. Edhe pse në rrëzimin e tij ndihmoi edhe lufta në Ukrainë.

Në fillim, përmendëm nisjen e diskutimeve midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për kontrollin e armëve. A luan fuqia bërthamore një rol themelor për fuqinë në rritje të vendit të madh aziatik? Nëse po, cilin?
Një nga dimensionet e rritjes së Kinës në skenën globale, është ai i shndërrimit në një lojtare të plotfuqishme dhe me armë bërthamore. Pra me një arsenal që po shtohet në mënyrë sasiore dhe cilësore, për të qenë në të njëjtin nivel me atë rus dhe atë amerikan.

Edhe pse Kina ka një politikë shumë të veçantë që rregullon përdorimin e instrumentit bërthamor, për shkak të karakteristikave të tij thjesht “mbrojtëse”, ndër të cilat spikat parimi “pa përdorim të parë”. Një parim, me të cilin kinezët mburren shumë, por mbi të gjitha e përdorin si një kritikë ndaj Perëndimit.

Por një sqarim i rëndësishëm që ata bëjnë në këtë aspekt, ka të bëjë me përmasën “ndërkombëtare” të këtij parimi, një sqarim ky shumë i rëndësishëm, pasi Pekini nuk e konsideron Tajvanin një shtet tjetër, por si një territor separatist që udhëhiqet nga një qeveri jo legjitime. Prandaj, duke qenë një problem i brendshëm, gjërat ndryshojnë rrënjësisht.

Dimensioni bërthamor brenda këtij skenari specifik, është një çështje e hapur dhe e debatuar, sepse kur flasim për Kinën ka një shkallë të rëndësishme fshehtësie dhe paqartësie. Prandaj, analistët e huaj e kanë shumë të vështirë të kuptojnë politikat dhe doktrinën e brendshme të Pekinit në lidhje me armët bërthamore.

Megjithatë, ajo që mund të kuptohet, edhe falë referencave në këtë drejtim, të pranishme tek burime të ndryshme zyrtare, është se kapaciteti bërthamor konsiderohet si një gur themeli strategjik për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë kombëtare.

Të ngjashme