Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se greva e minatorëve të Trepçës nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte.
“Greva ka vazhduar megjithëse nuk ka qenë e organizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi në disa aspekte kyçe, duke përfshirë këtu se nuk ka pasur informata në lidhje me organizatorët e grevës, me numrin e saktë të grevistëve dhe gjendjen shëndetësore të secilit prej tyre, kohën e hyrjes dhe daljes së grevistëve në minierë”, tha ajo teksa ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Rizvanolli ka theksuar se Qeveria ka arritur marrëveshje më 2 nëntor me minatorët duke iu përgjigjur kërkesave që ata i kanë shtruar.
“Përgjatë kësaj periudhe ndërmarrja Trepça ka pasur sfida të ndryshme, përveç sfidave të vjetërsisë së pajisjeve dhe sfida tjera në lidhje me burime njerëzore që janë tash e një kohë. Situata ka qenë më e rënduar për shkak edhe të vazhdimit të ndikimit të krizës energjetike, çmimeve shumë më të larta të energjisë elektrike në krahasim me nivelet e para krizës, mirëpo edhe të rënies së çmimeve të metaleve në bursë gjatë këtij viti”, shtoi ajo.
Më 5 nëntor, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të ndërmarrjes “Trepça” pati njoftuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të së dielës, ku është diskutuar për situatën e krijuar pas grevës 10 ditore të minatorëve, ka marrë vendim për hapjen e konkursit për kryeshef të kombinatit metalurgjik duke marrë parasysh se kjo pozitë ka qenë me ushtrues detyre për një periudhë pothuajse 2 vjeçare.
Minatorët e kombinatit metalurgjik “Trepça” kishin hyrë në grevë më 24 tetor në kërkim të kushteve më të mira të punës, shkarkimin e menaxhmentit dhe ekzekutimin e pagave të tyre me kohë, ndërsa kanë ndërprerë grevën 10 ditore pas arritjes së marrëveshjes me disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) mbi kushtet e tyre në orët e hershme të së premtes.