Mospublikimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe po shihet në mënyrë të çuditshme. Refuzimi i kryeministrit Albin Kurti që përmbajtjen e këtij dokumenti ta ndajë të paktën me liderët opozitarë ka nxitur reagime të ndryshme në vend.
Arsyetimi i shefit të qeverisë së publikimin nuk mund ta bëj për shkak të kërkesës së ndërmjetësit, nuk po shihet si shumë i qëndrueshëm, raporton Gazeta Nacionale.
Edhe për planin franko-gjerman ndërmjetësit i kishin kërkuar kryeministri Kurti që dokumenti ta mbante në konfidencial, por shefi i Qeverisë kishte vepruar ndryshe.
Për shkak të rëndësisë së dokumentit ai kishe vendosur që planin e BE-së ta ndan edhe me Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Avdixhikun e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.
Madje, gjatë një raportimi në Kuvend, Kurti kishte thënë se planin në fjalë e ka ndarë vetëm me liderët opozitarë dhe se për shkak të konfidencialitetit të dialogimit atë nuk ka mundur tekstualisht të ndajë me deputetët.
“Unë e kam pranuar parimin të cilin e kërkuar i ndërmjetësuari evropian e ai është transparenca e procesit dhe konfidencialiteti i dialogimit rrjedhimisht përmbajtjen tekstuale e kam ndarë me kryetarët e partive opozitare por jo edhe në Kuvend ndonëse besoj që pas shumë muajve pothuajse asgjë nuk ka ngelur e panjohur nga ai propozim që paraqet bazën e mirë për të diskutime të mëtutjeshme që fillojnë të hënën që vjen”, kishte thënë Kurti para deputeteve në shkurt të këtij.
Pse tani Kurti po sillet ndryshe?
Krejt ndryshe kryeministri Albin Kurti po vepron me draft-statutin për Asociacioni e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin e ka pranuar më 21 tetor nga pesëshja e madhe e dialogut.
Këtë draft ai nuk e ka ndarë më askënd të opozitës.
Në seancën e djeshme të Kuvendit, ku ka raportuar për këtë draft dhe dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se atë e ka ndarë vetëm me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Pavarësisht kërkesave të liderëve të opozitës për ta publikuar draftin, ai ka refuzuar një gjë të tillë.
“Unë e kuptoj kërkesën e juaj, që ta shihni draftin. Emisarët europianë dhe ata amerikanë më thanë mos me tregu draftin. Tash a me koordinim a pa, qysh po doni, se jam në hall me juve? Ata më thanë mos e bën publik. E kam ndarë me Presidenten, sepse është shefja e shtetit. Jam në koordinim të vazhdueshëm me amerikanët dhe europianët. Ata kanë kërkuar të mos e bëj publik, jam i korrdinuar me ta. Qysh po doni qysh me ja kallxu a me koordinim a pa koordinim. Për besë jam në hall me juve”, ka thënë Kurti.
Në fakt, nuk është vetëm presidentja që e ka parë këtë draft. Edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka treguar se e ka parë.
Deputetët e opozitës kanë pretenduar se draftin është parë edhe nga deputetët e pushtetit.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se pretendimet e Kurtit nuk janë të vërteta.
“Kryeministër nuk është e vërtet që askush nuk e ka draftin e Asociacionit. E kanë plot deputet të juaj, kryeparlamenti është procuar, presidentja. Pra e kanë pranuar vet se e kanë lexuar këtë statut. Nëse duhet me u mbajt fshet prej deputetve të opozitës. Edhe ne kemi të drjt me e pasë atë dhe sot n bazë të atij drafti me diskutu këtu”, ka thënë Kadrijaj gjatë seancës se djeshme.
Ndryshe nga kryeminsitri Kurti, Presidentja Osmani, e cila është juriste, nuk e ka shpallur draftin si kushtetues.
Ajo ka thënë se fjalën për këtë do ta jap Gjykata Kushtetuese.
“Më 21 tetor është dorëzuar një plan i ri nga ana e të dërguarve të posaçëm të BE-së, të shteteve anëtare dhe të SHBA-së. Aty parashihet që vlerësimin e kushtetutshmërisë së atij drafti do ta bëj Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kështu që, unë nuk do të ngutesha me e shpall në përputhje me Kushtetutën. Kjo është detyrë e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Osmani.