Nëpërmjet një videomesazhi, ai iu drejtua serbëve duke theksuar se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.
“Në çdo fushatë elektorale dëgjoni lloj-lloj gjërash. Tash e kanë shpikur se jam gati ta nënshkruaj pavarësinë e Kosovës sapo të kalojnë zgjedhjet. Dua që ju, popull i Serbisë, ta dini se kjo është një gënjeshtër famëkeqe. Dhe si një njeri i nderuar, por jo vetëm kaq, por si një njeri që e respekton Kushtetutën e vendit të tij, ligjet e vendit të tij dhe që e do popullin e tij në Kosovë e Metohi më shumë se çdo gjë – do t’i përmbahem gjithmonë germës së ligjit”, ka thënë Vuçiqi.
Këtë deklaratë Vuçiqi e ka bërë disa ditë pasi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursyla von Der Leyen, theksoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është de facto njohje e shtetit të Kosovës.
E eksperti për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se zgjedhjet e reja i përfitojnë kohë Vuçiqit në shmangien e presionit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Nuk mund të pritet që Serbia të bëjë kompromise gjatë një periudhe parazgjedhore. Por ka të ngjarë që nuk do të negociohet seriozisht as pas zgjedhjeve, po qe se Vuçiqi rizgjidhet president”, ka deklaruar Serwer.
Gazeta ruse “Kommersant” ka shkruar të enjten se zgjedhjet e jashtëzakonshme i japin një rast të mirë presidentit serb për ta shtyrë edhe së paku gjashtë muaj zgjidhjen e problemit të Kosovës, që u kualifikua si “tepër e dhimbshme për Beogradin”.
Në zyrën e ndërmjetësit për dialogun, Miroslav Lajçak, të enjten nuk kanë treguar nëse zgjedhjet do të ndikojnë në dinamikën e procesit.
Pas tensioneve në veri, që kulmuan me sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit nga grupi paraushtarak serb, diplomatët euro-perëndimorë dolën me një plan të ri për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë.
Me të nënkuptohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dokument të cilin kryeministri Albin Kurti pranoi ta nënshkruajë, krahas Marrëveshjes bazë dhe aneksit. Por Vuçiqi refuzoi, duke kërkuar riformulimin e neneve të para të marrëveshjes që e obligojnë atë t’ia njohë Kosovës dokumentet shtetërore dhe të mos e pengojë në anëtarësimin në OKB.