Lajme
Festë e madhe pas lirimit të të akuzuarit për vrasjen e Triumf Rizës – tre prej tyre policë
Demokracia
18:31 | 30 Tetor 2023

Share:

Dy pjesëtarë të Njësisë Kundër Terrorizmit dhe një pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës janë shfaqur në shoqërinë e njërit prej njerëzve më të afërt të Enver Sekiraqës, tregon një video ekskluzive.

Valon Fetahu dhe Donat Jashari, janë dy pjesëtarë të Anti-Terrorizmit në Policinë e Kosovës, ndërkaq Bashkim Krasniqi është koleg i tyre, polic, pjesëtar i Njësisë Speciale Operative. Të tre po darkonin e ngrinin dolli me njëri-tjetrin disa ditë më parë gjatë këtij muaji, shfaq video të cilën e ka siguruar Paparaci.

Në tavolinën e njëjtë të darkës së asaj nate, ata shoqëroheshin edhe nga Rrahim Abdullahu, një i afërt me Enver Sekiraqën dhe bashkëpunëtor i ngushtë i tij, raporton Paparaci.

Videoja e cila e shfaq Rrahim Abdullahun të rrethuar në shoqëri me zyrtarë të Policisë së Kosovës është incizuar në një ndejë private. Në fakt, bëhej fjalë për një festë. Vetëm dy ditë para ndejës, një tjetër anëtar i pretenduar i bandës së Sekiraqës ishte liruar nga paraburgimi.

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën ‘Liza’ dhe i liruar nga paraburgimi me dorëzani në mesin e muajit tetor, nuk është vetëm bashkëpunëtor i Sekiraqës e ‘Rrumqit’. Ai është edhe djali i xhaxhait të Rrahim Abdullahut.

Siç raportoi Paparaci rreth dy javë më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi nga paraburgimi Ilir Abdullahun, disa javë pas arrestimit të tij. Në vend të paraburgimit, ‘Lizës’ iu vendos masa e dorëzanisë.

Sipas vendimit të gjykatës që kishte publikuar Paparaci, i pandehuri obligohej që në emër të dorëzanisë të deponojë në arkën e kësaj gjykate shumën prej 100 mijë eurove.

Deri te arrestimi i tij në muajin korrik, ‘Liza’ i ishte shmangur drejtësisë për 15 vite.

Për vrasjen e 27 vjeçarit Triumf Riza, i dënuar me 35 vjet burg është Arben Berisha.

Ndërsa për nxitjen në vrasjen e Rizës, është i akuzuar edhe Enver Sekiraqa por që rasti i tij ende nuk ka marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata.

Përveç Abdullahut, Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, akuzoheshin se si grup i organizuar nga Enver Sekiraqa, kishin organizuar vrasjen e Triumf Rizës, për motive të ulta.

Në kërkesën për paraburgimin e Abdullahut, të parashtruar nga Prokuroria Speciale, thuhej se ai në bashkëkryerje me të pandehurit Arben Berisha, Fitim Avdiu dhe Rrahim Abdullahu, nën organizimin e Enver Sekiraqës e të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që të privojnë nga jeta Triumf Rizën.

Të ngjashme