Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar një Asociacion të komunave me shumicë serbe të cilin për 15 vjet e ka kundërshtuar me të gjitha mjetet.
Në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, derisa ka folur për thirrjen në raportim të Kurtit në Kuvend për procesin e dialogut, Shala ka thënë se është koha e fundit që kryeministri të paraqesë para deputetëve dhe qytetarëve se çfarë ka nënshkruar në Ohër dhe Bruksel dhe tash çfarë modaliteti të Asociacionit ka pranuar.
Sipas tij i tërë procesi i negociatave në Bruksel, sidomos dy vitet e fundit ka qenë në terr informativ dhe pa transparencë, jo vetëm ndaj mediave por edhe ndaj deputetëve dhe shoqërisë.
“Ka ardhur momenti i fundit që kryeministri të paraqesë para deputetëve dhe qytetarëve se çfarë ka nënshkruar në Ohë dhe Bruksel dhe tash çfarë ka modaliteti të Asociacionit ka pranuar, pas më shumë se 15 vjetëve kundërshti, luftë politike, demonstrata e greva, protesta, djegie e shkatërrim të institucioneve, tashmë vijmë në pikën fillestare kur ai të gjitha këto i ka përmbysur dhe ka pranuar një Asociacion, të cilin e ka luftuar me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike”, është shprehur Shala.
Ai ka deklaruar se kanë dyshime që Kurti ka pranuar çdo formë të Asociacionit, siç ka thënë, jashtë çdo kornize demokratike dhe transparente.
Shala ka thënë se nuk i besojnë deklaratës së Kurtit se drafti i Asociacionit i propozuar nga ndërkombëtarët do të dërgohet në Kushtetuese për vlerësim.
Shala në këtë intervistë ka folur edhe për grevën e minatorëve të “Trepçës”. Sipas tij kryeministrit Kurti nuk po i intereson fare çështja e shëndetit të minatorëve e as e grevës e kërkesave të tyre.
Ai ka thënë se kërkesa e tyre për shkarkimin e anëtarëve të menaxhmentit që për tri vjet janë ushtrues detyre është e ligjshme.
Sipas Shalës “Trepça” që dy vjet punon më humbje mujore prej 630 mijë eurosh. “Çka duhet tjetër të ndodhë kur që tri vjet ‘Trepça’ punon me humbje mujore prej 630 mijë eurosh, të drejtë legjitime kanë punëtorët dhe sindikatat të ndërrojnë menaxhmentin sepse është treguar jokompetent dhe joprofesional”, ka theksuar Shala.
Ai ka thënë se ka një përbuzje dhe injorim të skajshëm të tyre nga ana e ekzekutivit.
“Nuk mund ta kuptojë se si një shtet i tërë të jetë kaq inferior ndaj 700 a 800 minatorëve, në këtë relacion kryeministri është i papërgjegjshëm, institucionet e shteti janë të papërgjegjshme, këtu ka një shkelje elementare të të drejtave të njeriut, e lërë më ligjore”, ka theksuar Shala, duke shtuar se kërkesat e minatorëve janë ligjore.