Mos-formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e pati kauzën e tij më të fortë politike, por pas 2 vjet e gjysmë në pushtet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e “shkërmoqi” atë duke pranuar draft-statusin e propozuar nga Komuniteti Ndërkombëtar për Asociacionin.
Ndërsa dy ditë pas pranimit, në një fjalim të rastit në konferencën me temë “Lidershipi në kohë sfiduese”, të organizuar nga kolegji UBT, tha se njëri nga cilësitë e një liderë të mirë “është përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë”.
Duke folur për cilësitë fundamentale të liderit që e definojnë një lider të mirë dhe të madh, Kurti përmendi dy virtyte që duhet të ketë një lider i mirë.
“Cilësia e parë e një lideri është efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës”, pohoi ai.
Për Kurtin, cilësitë që e përcaktojnë një lider të madh, definohen nga vullneti për të sakrifikuar interesin e tyre për një kauzë më të madhe.
“Pra, liderët e mëdhenj janë aq të dedikuar ndaj parimeve të tyre dhe aq të vendosur për t’i mbrojtur ato në mënyrën më të mirë, sa që janë të gatshëm të sakrifikojnë interesin e tyre personal”.
Si shembull të një lideri të mirë dhe të madh, Kurti e ka veçuar presidentin e 16-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Abraham Lincoln.