Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të dielën do të nis një vizitë katër-ditore në Ballkanin Perëndimor, përshirë edhe Kosovën, ka njoftuar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Von der Leyen, gjatë vizitës në rajon përveç Kosovës, do të vizitojë edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
“Ky do të jetë rasti për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh dhe veçanërisht për t’u prezantuar më në detaje udhëheqësve rajonalë Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor”.
Në komunikatën e lëshuar për media nga ana e zyrës së BE-së në Kosovë, von der Leyen, të dielën do të takohet me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe me kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.
Më vonë gjatë ditës ajo do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takohet me Presidenten dhe kryeministrin e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Të martën në mëngjes, siç njofton komunikata, von der Leyen, do të jetë në Podgoricë të Malit të Zi.
Ajo do të takohet me presidentin Jakov Milatoviç si dhe me kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
Pasdite e ditës së marte, von der Leyen, do të udhëtojë për në Beograd.
Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.
“Së fundi, të mërkurën, presidentja von der Leyen do të takohet në Sarajevë me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës. Ajo do të takohet edhe me Kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.
Von der Leyen, siç njofton komunikata, do të mbajë konferenca për shtyp në çdo shtet të cilën do e vizitojë gjatë turit ballkanik.
Turi katër-ditorë në Ballkanin Perëndimor vjen pas takimeve të von der Leyen në Shqipëri në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.