Ballkani ka pësuar humbje 2-1 ndaj Astanas në kuadër të rrethit të tretë të Ligës së Konferencës.
Pas shtatë minutash lojë, mysafirët kaluan në epërsi me golin e Kamo Hovhannisyan.
Por, festa e lojtarëve të Astanas zgjati vetëm 60 sekonda, pasi kampioni i Kosovës i barazoi shifrat.
Ishte Edvin Kuç, ai që barazoi rezultatin në 1-1, për të rikthyer ndeshjen në baraspeshë.
Mirëpo, Astana ia doli të rikthente epërsinë me golin e Abzal Beysebekov, që realizoi në minutën e 23-të.
Ballkani kishte më shumë iniciativë në sulm, mirëpo në mbrojtje nuk kishte koordinim, me çka edhe pësuan dy gola të lehtë.
Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë nga Ballkani që synonte t’i barazonte shifrat.
Berisha dhe Tolaj ishin cak i bashkëlojtarëve të tyre në zonën e rreptësisë së Astanas, por që atyre u mungonte konkretizimi.
Në minutën e 70-të, Daja e largoi nga loja Albin Berishën, për të inkuadruar Walid Hamidin, por as ky i fundit nuk ia doli të bënte dallimin.
Edhe pse Ballkani kishte iniciativën e plotë në minutat e mbetur, ata nuk ia dolën që së paku të merrnin një pikë nga ky takim.