“Ndryshim kozmetik” e ka cilësuar Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, zgjedhjen e kryetarit të ri të Listës Serbe, Zllatan Ellek, kirurgut nga Mitrovica e Veriut i cili gjatë këtij muaji ka propaganduar kinse për shkak të “terrorit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, institucionet shëndetësore në zonat serbe po kërcënohen nga “katastrofa humanitare”.
“Është evidente se ndryshimi i lidershipit në krye të Listës Serbe është thjesht kozmetik dhe synon distancimin e Listës Serbe nga sulmi i dështuar terrorist që shkaktoi viktima dhe komplikoi më tej situatën në Kosovë, si dhe organizimin e formacioneve paramilitare të armatosura mirë, objektivat e të cilave mbeten çështje spekulimesh”, tha Çanak për Albanian Post.
Politikani jotipik serb, i cili përveç me bindje liberale, ai është ndër të rrallët që ka pranuar shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës, e sheh si të pamundur shkëputjen e Listës Serbe nga “ndikimi i Beogradit”, meqë thotë se krimineli Milan Radojiçiç i cili e pranoi se e udhëhoqi sulmin terrorist të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, është bashkëpunëtor i presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
“Ish-nënkryetari, Millan Radojiçiç, (sipas fjalëve të Aleksandër Vuçiçit) ishte (dhe duket se është ende) bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit të Serbisë dhe është joreale të pritet që me ndërrimin e vetëm një njeriu, Lista Serbe do të bënte një zhvendosje dhe shkëputje radikale nga Beogradi zyrtar”, u shpreh i bindur ai.
Çanak i cili ka qenë deputet i Parlamentit të Serbisë e ish-president i Kuvendi të Vojvodinës ndërmjet viteve 2000-2004, thotë se bashkëpunimi i shprehur me Qeverinë e Kosovës nga Lista Serbe dhe kërkesa për përsëritjen e zgjedhjeve të bojkotuara së fundmi, pavarësisht se nuk ka ndryshime në kushtet zgjedhore, “është thjesht një përpjekje për të mbuluar pengimin e mëparshëm të dialogut dhe këmbënguljen për mosnjohjen e autoriteteve legjitime në Kosovë”.
Ai mendon që vetëm në rast të ekstradimit të kriminelit Radojiçiç në Kosovë nga autoritet serbe, do mund të flitej për ndryshim të marrëdhënieve ndërmjet Listës Serbe dhe autoriteteve të Kosovës, derisa shprehet pesimist se Serbia do e jep dritën gjelbër për këtë çështje.
“Vetëm nëse Radojiçiç do të ekstradohej në organet gjyqësore të Kosovës (për të cilën unë sinqerisht dyshoj), do të mund të flitej për disa ndryshime thelbësore në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës, Beogradit (dhe rrjedhimisht Listës Serbe). Pa këtë, të gjitha lëvizjet janë vetëm një fasadë që synon publikun ndërkombëtar dhe komunitetin ndërkombëtar”, vuri në pah ai.