Deputetja e Parlamentit Evropian, Alekssandra Moreti, ka thënë këtë të mërkure se kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq kanë “përgjegjësi të madhe për të gjetur një zgjidhje për të dyja vendet”, sepse “qytetarët kanë frikë nga dhuna dhe duan paqe”.
Në një prononcim për “FoNet”, ajo ka përmendur edhe rezolutën e Parlamentit Evropian, ku ndër të tjera bënë thirrje për dialog dhe deeskalim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar se ka pasur shumë episode dhune, prandaj duhet gjetur zgjidhje.
“Mesazhi që po dërgon Evropa është se qytetarët e Serbisë duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e zgjerimit. Serbia ka nevojë për Evropën”, pohoi ajo, duke ritheksuar domosdoshmërinë e deeskalimit në marrëdhëniet me Kosovën.
Eurodeputetja italiane pohoi se duhet të gjendet një ekuilibër dhe se “ne duam normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por edhe Serbia duhet të gjejë rrugën e saj dhe të bashkohet me ne përmes reformave”, potencoi Moreti, bashkëkryesuese e Komitetit për Stabilizim dhe Asociim të Serbisë dhe BE-së.