Lajme
Serwer: Serbia vazhdon ta kërcënojë Kosovën me dhunë, forcat serbe janë ende në gatishmëri të lartë
Demokracia
15:19 | 25 Tetor 2023

Share:

Profesori i Universitetit “John Hopkins”, Daniel Serwer thotë se Serbia po vazhdon ta kërcënojë Kosovën me dhunë.

Në një artikull të publikuar ne Peacefare, Serwer thotë se Serbia ka uruar paraushtarakët e përfshirë në komplotin e prishur dhe ka shpallur një ditë zie për tre terroristët që u vranë.

“Grafitet me vlerë të lartë të prodhimit në Serbi, duke përfshirë stadiumet e futbollit, dhe në katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe, kanë promovuar idenë se forcat serbe së shpejti do të kthehen në Kosovë. Forcat e armatosura serbe janë ende në gatishmëri të lartë”, ka shkruar ai.

Sipas Serwer, presidenti Vuçiq dhe mediat që ai kontrollon përdorin gjuhën e urrejtjes duke iu referuar Kosovës, liderëve të saj politikë dhe shqiptarëve në përgjithësi.

“Ambiciet për të krijuar “botën serbe”, një kopje e zbehtë e “botës ruse” të Putinit që përfshin Ukrainën, janë të përhapura. Serbia ka rritur në mënyrë dramatike stërvitjet e saj ushtarake me Rusinë. Frikësimi i serbëve në veri të Kosovës nga Beogradi për të parandaluar bashkëpunimin me Prishtinën vazhdon, ashtu si edhe operacionet e fshehta kundër institucioneve të Kosovës”.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Të ngjashme