Analisti politik, Arton Demhasaj thotë për front Online se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të shkojë në takim në Bruksel, por se duhet t’u kërkoj falje qytetarëve pasi që ka kërkuar që së pari të sanksionohet Serbia e pastaj të vazhdohet me dialog.
“Unë mendoj se po duhet të shkohet, mirëpo njëkohësisht me këtë i bjen që kryeministri Kurti duhet me i kërku falje qytetarëve të Kosovës sepse ai gjithë kohën ka folur që nuk duhet të shkohet në dialog pa u sanksionua Serbia dhe nëse këtë e bën që të shkojë në dialog pa u sanksionu Serbia atëherë normalisht minimumi që duhet ta bëjë është me i kërku faje qytetarëve”, ka thënë Demhasaj për Front Online.
I, pyetur se pse pikërisht në kohën kur Serbia duhet të sanksionet, ndërkombëtarët po kërkojnë themelimin e Asociacionit, Demhasaj ka shtuar se ky është obligim që është pranuar nga pala kosovare.
“Për shkak se është obligim që ne e kemi marrë. Ne çështjen e Asociacionit e kemi obligim fillimisht nga pakoja e Ahtisarit, pastaj nga marrëveshja e 2013, pastaj marrëveshja e 2015 deri te kjo marrëveshja e fundit që ua rrit në këtë vit në shkurt e njëkohësisht edhe me aneksin e Ohrit është pranuar si obligim nga Kosova hartimi apo themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kështu që fakti që ti e ke pranu si obligim atëherë normalisht që partnerët ndërkombëtarë kanë me insistu që kjo pikë duhet të zbatohet, madje nëse e shohim në aneks të Ohrit është njëra prej pikave të para që Kosova e ka si obligim që duhet me fillu”, është shprehur ai.
Sipas tij, në momentin që Kosova fillon procedurat për themelim të Asociacionit, presioni do të bartet tek Serbia për njohje të dokumenteve të Kosovës.
“Në një farë mënyre me shumë gjasë konsiderohet si çelësi i zbatimit të marrëveshjes sepse sapo Kosova të fillojë procedurat e themelimit të Asociacionit mendoj që pastaj presioni ka me u bart te Serbia për ta zbatuar pjesën hyrëse të marrëveshjes së Brukselit që i bjen njohja e dokumenteve të Kosovës që po interpretohet si njohje faktike e Kosovës”, ka shtuar ndër të tjera Demhasaj.