Një ushtar italian ka vdekur dje në një aksident trafiku në Pejë.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë në mes të dy veturave.
Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar dy shtetas të huaj dhe një kosovar.
I dyshuari për shkaktim te aksidentit ka pranuar ndihme mjekësore, dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 48 orë nga prokurori kujdestar.
“Pejë 24.10.2023 – 15:20. Në rrugën Pejë-Prishtinë ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet në të cilin kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre persona një mashkull dhe një femër shtetas të huak, si dhe një mashkull kosovar. Te lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor dhe më pas është konfirmuar se i lënduari mashkull-shtetas i huaj ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore. I dyshuari për shkaktim te aksidentit ka pranuar ndihme mjekësore, dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit për 48 ore nga prokurori kujdestar”, thuhet në njoftim.
Dje, Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto me anë të një postimi në “X” ka publikuar emrin e ushtarit që vdiq në këtë aksident të rëndë.
Ai ka thënë se viktima është Claudio Cadeddy, teksa familjarëve u ka shprehur ngushëllime.
“Me një dhimbje të thellë, në emër të Ministrisë së Mbrojtjes së Italisë, shprehim ngushëllimet dhe i ofrojmë mbështetje të pakufishme gruas, vajzës dhe familjes së Claudio Cadeddy, ushtar i Ushtrisë të Italisë, i cili ishte viktimë e një aksidenti tragjik rrugor gjatë ditës së sotme”, ka shkruar Ministri italian i Mbrojtjes.